Fidair Berisha: Kosova mes krizës politike dhe sfidave të sigurisë

Prof.As.Dr.Fidair Berisha: Kosova pas aktgjykimit të Hagës: siguria dhe stabiliteti në fokus

Aktgjykimi i fundit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka hapur një kapitull të ri dhe jashtëzakonisht të ndjeshëm për shoqërinë dhe institucionet e Kosovës. Ky nuk është vetëm një proces juridik që duhet parë nga këndvështrimi i dënimeve të shqiptuara. Ai ka edhe dimensione të rëndësishme shoqërore, institucionale, politike dhe të sigurisë. Prandaj, në këtë moment, Kosova duhet të tregojë maturi, përgjegjësi dhe unitet.Nga këndvështrimi im, është e rëndësishme të bëhet një dallim i qartë ndërmjet respektimit të institucioneve të drejtësisë dhe të drejtës së qytetarëve për të ngritur pyetje kritike mbi një aktgjykim. Fakti që gjykata ka dhënë një vendim nuk do të thotë se çdo pikë e tij nuk mund të analizohet, kontestohet apo kundërshtohet përmes mjeteve juridike. Vetë procesi është ende i hapur ndaj procedurave të apelit.

Një prej çështjeve që kërkon analizë të thellë është vlerësimi i provave mbi të cilat është mbështetur vendimi. Në opinionin tim, deklaratat dhe dëshmitë duhet të analizohen me kujdes të jashtëzakonshëm, sidomos kur bëhet fjalë për përgjegjësi individuale dhe për ngjarje të ndodhura gjatë  kohes së lutes. Kjo është arsyeja pse mbrojtja dhe institucionet e Kosovës duhet ta shqyrtojnë në mënyrë të detajuar arsyetimin e aktgjykimit dhe të përdorin të gjitha mekanizmat juridikë në dispozicion.Për mua, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kuptohet në kontekstin e saj historik,ku UÇK-ja u përball me një forcë shtetërore shumë më të madhe dhe me një aparat ushtarak e policor të organizuar. Ajo që e karakterizoi rezistencën shqiptare ishte motivi për liri, sakrifica, guximi dhe mbështetja e popullit. Më pas, ndërhyrja e NATO-s dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës luajtën një rol te rendesishem  në përfundimin e luftës dhe në krijimin e rrethanave që çuan drejt lirisë së Kosovës.Liria që gëzojmë sot nuk është meritë e një personi apo e një brezi të vetëm.

Ajo është rezultat i sakrificës së shumë brezave, i rezistencës së qytetarëve të Kosovës dhe i mbështetjes ndërkombëtare. Por, në këtë histori, sakrifica e pjesëtarëve të UÇK-së zë një vend të veçantë. Ata u përballën me një realitet jashtëzakonisht të vështirë dhe shumë prej tyre paguan çmimin më të lartë për lirinë.Prandaj, në këtë moment, mendoj se është e domosdoshme që partitë politike në Kosovë të gjejnë një pikë të përbashkët. Nuk është koha që energjia politike të harxhohet në përplasje të brendshme. Është koha që institucionet, partitë politike, shoqëria civile dhe qytetarët të tregojnë përgjegjësi dhe të mbështesin një proces të drejtë dhe ligjor për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve dhe për shqyrtimin e vendimit në instancat përkatëse.Duhet të jemi shumë të kujdesshëm edhe në aspektin e sigurisë. Çdo ndarje e thellë shoqërore, çdo gjuhë e urrejtjes apo çdo përplasje institucionale mund të shfrytëzohet nga aktorë të jashtëm që kanë qellime dashakeqe   ndaj Kosovës.

Është e njohur se Serbia dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë kanë pasur qëndrime të kundërta ndaj shtetësisë dhe narrativës së Kosovës. Prandaj, çdo reagim i Kosovës duhet të jetë institucional, i matur dhe i koordinuar.Per fund ,kam nje mesazh të qartë: nuk duhet të lejojmë që ky aktgjykim të na ndajë si shoqëri. Mund të kemi dallime politike, por për çështje që lidhen me interesat e shtetit dhe me trajtimin e drejtë të krerve te UCK-se  që kanë qenë pjesë e historisë së çlirimit të Kosovës, duhet të kërkojmë një qëndrim institucional dhe të përgjegjshëm.Kosova nuk ka nevojë për përçarje. Ka nevojë për unitet, por një unitet që respekton ligjin, institucionet dhe rrugët juridike. Beteja që tani duhet të zhvillohet është para së gjithash juridike dhe institucionale. Të gjitha argumentet, provat dhe kundërshtimet duhet të paraqiten aty ku vendoset për to.Prandaj, ky është momenti që partitë politike t’i lënë mënjanë përkohësisht betejat e tyre të brendshme dhe të fokusohen në një çështje me rëndësi të veçantë për vendin.

Të bashkuar mund t’i mbrojmë më mirë interesat e Kosovës; të përçarë, dobësojmë vetveten.Kosova duhet të jetë e qetë, e bashkuar dhe institucionale. Historia nuk ndryshohet me përplasje politike, por me argumente, fakte dhe drejtësi. Dhe për katër ish-krerët e UÇK-së, rruga e ardhshme duhet të jetë ajo e përdorimit të plotë të të gjitha mjeteve juridike në dispozicion, me bindjen se drejtësia duhet të jetë e barabartë, e paanshme dhe e bazuar në prova.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Drejtësi e turpshme është të dënosh komandantët e UÇK-së

Drejtësi e turpshme është të dënosh komandantët e UÇK-së pa bërë dallimin mes luftës për …