Petritsch për Thaçin: Ishte fytyra ndërkombëtare e UÇK-së, por organizata nuk kishte zinxhir të unifikuar komandues

Diplomati austriak Wolfgang Petritsch, ish-i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën gjatë luftës, ka folur për rolin e Hashim Thaçit në UÇK dhe për përvojën e tij nga negociatat e viteve 1998-1999, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Petritsch tha se një nga çështjet kryesore të procesit ishte nëse UÇK-ja kishte pasur një zinxhir funksional komandues. Sipas tij, Thaçi ishte “vërtet fytyra ndërkombëtare e UÇK-së”, por në zonat e veçanta luftarake nuk kishte domosdoshmërisht fjalën vendimtare, pasi UÇK-ja ishte një organizatë heterogjene dhe ndikimi i tij ndryshonte nga një rajon në tjetrin. Petritsch tha se, pavarësisht moshës së re, Thaçi kishte aftësitë politike të nevojshme për situatën e asaj kohe dhe për këtë arsye udhëhiqte delegacionin kosovar në negociatat ndërkombëtare. Ai kujtoi edhe negociatat e Rambujesë, duke thënë se Thaçi ishte i shqetësuar se një vendim i gabuar mund t’i kushtonte jetën në Kosovë. Duke folur për aktgjykimin, diplomati austriak tha se vendimi i shkallës së parë nuk është domosdoshmërisht fjala e fundit dhe se proceset e apelit në rastet e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi kanë sjellë edhe ndryshime të plota të aktgjykimeve. Si shembull ai përmendi rastin e gjeneralit kroat Ante Gotovina, i cili pas dënimit në shkallë të parë u shpall i pafajshëm në apel. Megjithatë, Petritsch theksoi se kjo nuk do të thotë se i njëjti rezultat do të përsëritet në rastin e Thaçit.

Intervista: https://substack.com/home/post/p-216611968

Kontrolloni gjithashtu

Avdullah Hoti kërkon mbledhje urgjente të Kuvendit për aktgjykimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit të …