Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar ashpër pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur tronditjen e tij dhe duke kritikuar mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor. Bosch tha se nuk e kishte pritur një vendim të tillë, duke iu referuar dëshmive të figurave ndërkombëtare si Wesley Clark, James Rubin dhe Christopher Hill, të cilët, sipas tij, kishin folur për mungesën e një strukture të mirëfilltë komanduese në UÇK. Ai pretendoi se injorimi i këtyre dëshmive ngre pikëpyetje serioze mbi vendimin e gjykatës. Bosch kritikoi edhe reagimin e Bashkimit Evropian, duke thënë se e konsideron të panevojshme deklarimin për një qasje “të drejtë dhe të balancuar” të gjykatës. Sipas tij, vendimi është i pabalancuar dhe i padrejtë, ndërsa shprehu shqetësimin se të akuzuarit do të duhet të qëndrojnë edhe më gjatë në paraburgim gjatë procesit të apelimit. Ai foli edhe për rolin e tij në krijimin e gjykatës speciale, duke pranuar se ishte i përfshirë në çështjen e themelimit të tyre. Në atë kohë kishte besuar se procesi do të çonte drejt drejtësisë, por sot e konsideron vendimin për krijimin e kësaj gjykate si të gabuar. Duke iu referuar Hashim Thaçit, Bosch tha se në atë kohë i kishte thënë atij të mos shqetësohej, pasi besonte se do të lirohej për mungesë provash. “I shkreti i vendosi vetes lakun në fyt”, tha Bosch, duke shtuar se, sipas tij, Thaçi dhe të tjerët nuk e kishin zgjedhur vetë këtë rrugë, por ishin shtyrë drejt saj nga ndërkombëtarët dhe nga njerëz si unë”, deklaroi Bosch, duke pranuar se kishte zbatuar urdhrat që kishte marrë në atë kohë nga Haga, ndonëse, sipas tij, jozyrtarisht kishte shprehur kundërshtimin e tij. Ai pret që çështja të vazhdojë në Apel, por shprehu skepticizëm për rezultatin, duke theksuar se në proces do të përfshihen sërish njerëz nga e njëjta gjykatë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
