Historiani britanik James Pettifer ka thënë se Kosova duhet ta rishikojë raportin me misionet ndërkombëtare pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, veçanërisht rolin e EULEX-it dhe OSBE-së. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Pettifer tha se Kosova nuk duhej ta refuzonte themelimin e Speciales, por duhej të negocionte më mirë kushtet e funksionimit të saj. Sipas tij, problemi qëndronte në faktin se gjykata u krijua pa kontroll të mjaftueshëm nga institucionet e Kosovës. Pettifer vlerësoi se aktgjykimi mund ta vështirësojë edhe më tej pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve, ndërsa theksoi se reagimi i Kosovës duhet të jetë institucional dhe paqësor. Ai tha se NATO-ja duhet të mbetet e veçuar nga kjo çështje, ndërsa vazhdimi i misioneve evropiane në Kosovë duhet të rishikohet. Duke folur për historinë e UÇK-së, Pettifer tha se aktgjykimi nuk duhet të përcaktojë mënyrën se si shkruhet dhe kujtohet lufta e Kosovës. Ai shtoi se institucionet duhet të kenë një qëndrim të qartë dhe të përbashkët për të ardhmen e misioneve ndërkombëtare në vend.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
