: PËR OBLIGIMET E SHTETIT NUK NEGOCIOHET — ATO PËRMBUSHEN!

Para se të flasim për negociata politike, duhet t’i përgjigjemi një pyetjeje të thjeshtë:
Çfarë po kërkojnë qytetarët në rrugë?
Po kërkojnë angazhim institucional për çlirimtarët e dënuar.
Po Bedri Hamza, çfarë po kërkon?
Nëse edhe ai kërkon angazhimin e institucioneve për çlirimtarët, atëherë qytetarët dhe Bedri Hamza, në thelb, kanë të njëjtën kërkesë dhe të njëjtën adresë institucionale: pushtetin e Albin Kurtit.
Këtu fillon problemi.
Kurti po e kushtëzon mundësinë e veprimit institucional me marrëveshje politike dhe me përmbylljen e arkitekturës së pushtetit. Pra, një çështje që duhet të trajtohet si përgjegjësi shtetërore po futet në pazarin politik.
Por duhet të pyesim:
Të kujt janë çlirimtarët?
Të qytetarëve që protestojnë?
Të Bedri Hamzës?
Të një partie politike?
Jo!
Ata janë pjesë e historisë dhe e shtetit të Kosovës. Prandaj, mbështetja institucionale dhe juridike që lejon ligji nuk duhet të shndërrohet në monedhë negociuese ndërmjet pushtetit dhe opozitës.
Qytetarët në rrugë nuk po negociojnë. Ata po ushtrojnë një të drejtë demokratike dhe po kërkojnë nga institucionet veprim.
Atëherë, përse duhet negociuar për diçka që konsiderohet detyrim i Qeverisë?
Përse duhet bërë koncesion politik që pushteti të bëjë atë që protestuesit kërkojnë prej tij si përgjegjësi institucionale?
Këtu mendoj se negociimi i Bedri Hamzës me Albin Kurtin rrezikon të prodhojë dy pasoja të gabuara.
E para: e amortizon presionin qytetar. Protesta, në vend që të mbetet burim autonom i kërkesës ndaj pushtetit, rrezikon të përkthehet në instrument negociues ndërmjet dy liderëve politikë.
E dyta: i jep vlerë një monedhe politike që Kurti kërkon ta fusë në këmbim — çështjes së Presidentit dhe përmbylljes së pushtetit.
Nëse kërkesa është: Qeveria të angazhohet, brenda kompetencave të saj, për mbështetjen juridike dhe institucionale të çlirimtarëve, atëherë përgjigjja nuk duhet të jetë:
“Çfarë na jepni në këmbim?”
Përgjigjja duhet të jetë:
“Ky është obligim institucional dhe duhet ta përmbushim.”
Pikërisht për këtë arsye mendoj se Bedri Hamza duhet ta ndërpresë negociimin e kushtëzuar me Kurtin për këtë çështje dhe t’ia lërë hapësirën kërkesës qytetare.
Por edhe protesta duhet ta zgjidhë një problem të vetin: nuk mund të mbetet pa drejtim, pa artikulim dhe pa përgjegjësi.
Nëse protesta ka kërkesa legjitime, dikush duhet të marrë përgjegjësinë t’i artikulojë ato qartë, të dalë në ballë të saj dhe t’i drejtojë kërkesat aty ku duhet — te institucionet dhe pushteti.
Sepse, në fund, pyetja është shumë e thjeshtë:
Nëse edhe qytetarët, edhe opozita kërkojnë të njëjtën gjë nga Qeveria, përse duhet negociuar me Qeverinë që ajo ta kryejë obligimin e vet?
Për obligimet e shtetit nuk duhet pazar politik.
Ato kërkohen.
Ato përmbushen.

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece: LETËR NËNËS NGA QELIA.... (Kushtuar dëshmorëve tanë)

Ylli Mece: UNË “ KUSARMADHI “ PËRBALLË ENVERIT NË VARREZAT E SHARRËS!

(Bisedë e supozuar e Kusurmadhit me E. Hoxhen” ) Kësaj here në kuadrin e zhvillimeve …