Arian Tahiri kërkon zbatimin e plotë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, e ka vlerësuar si arritje të rëndësishme miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke kërkuar zbatimin e plotë të tyre nga institucionet e Kosovës. Tahiri ka theksuar se vendimi i Kuvendit duhet të respektohet pa përjashtime apo shmangie, duke e ndërlidhur këtë çështje me mbrojtjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe garantimin e drejtësisë. Ai ka rikujtuar se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ndërsa Kuvendi është institucioni përgjegjës për ushtrimin e pushtetit legjislativ. “Ligjet që miraton Kuvendi nuk janë rekomandime dhe as çështje vullneti: ato janë detyrim dhe duhet të zbatohen”, ka deklaruar Tahiri. Ai ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të shpërfillur ndryshimet e miratuara do të kundërshtohet, duke kërkuar që institucionet të marrin përgjegjësinë për zbatimin e vendimit parlamentar. Deklarata e Tahirit vjen në një kohë kur ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara kanë nxitur debat politik dhe reagime ndërkombëtare lidhur me përputhshmërinë e tyre me obligimet ndërkombëtare të Kosovës. Megjithatë, përfaqësuesi i PDK-së ka insistuar se respektimi i vendimeve të Kuvendit dhe zbatimi i ligjit duhet të jenë prioritet për institucionet e Republikës së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Rrustem  Mustafa: Zgjedhja e Shiroka-Pulës është sukses

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, ka deklaruar se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës …