Qeveria formon grup punues për bashkërendimin e mbështetjes në fazën e apelit në Hagë

Qeveria e Kosovës ka formuar një grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara. Kryeministri Albin Kurti tha se aktgjykimi i shkallës së parë është, sipas vlerësimit të tij, i padrejtë dhe se institucionet do të angazhohen për mbështetjen e fazës së apelit. Ai tha se për këtë nevojitet strategji e mirëorganizuar dhe bashkëpunim përtej dallimeve partiake. Grupi punues do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca dhe do të përfshijë përfaqësues institucionalë e parlamentarë. Sipas Kurtit, synimi është të bashkërendohet mbështetja juridike dhe institucionale, brenda mjeteve në dispozicion të Qeverisë. “Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e historisë së luftës së UÇK-së”, tha Kurti. Ai e cilësoi aktgjykimin si të mbështetur në themele të pasakta historike dhe faktike, ndërsa theksoi se përgatitjet për apel duhet të pasojnë një analizë të hollësishme të vendimit. Në të njëjtën mbledhje, Kurti foli edhe për përmbylljen e konstituimit të institucioneve të Kosovës. Ai tha se, pas një periudhe të gjatë bllokadash politike, prioritet duhet të jenë agjenda socio-ekonomike, zhvillimi, punësimi dhe shërbimet për qytetarët.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Arsim Bajrami

Akademiku Arsim Bajrami ka propozuar një draft-strategji shtetërore për dokumentimin historik

Akademiku Arsim Bajrami ka propozuar një draft-strategji shtetërore për dokumentimin historik, propozohet një program kombëtar …