Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, e ka vlerësuar si të drejtë, por të vonuar, vendimin e Qeverisë për themelimin e Grupit Punues që do të hartojë strategjinë shtetërore për procedurat në Dhomat e Specializuara në Hagë. Rrahmani tha se grupi duhej të krijohej më 17 shtator, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij, vonesa e ka bërë të domosdoshëm një angazhim dhe shpenzim shumë më të madh për të arritur rezultatin e synuar. Rrahmani vlerësoi se organizimi do të ishte më i fuqishëm po t’i printe vetë kryeministri Albin Kurti, duke theksuar se çështja lidhet me luftën e UÇK-së. Ai shprehu dyshime nëse procesi do të ecë përpara pa mobilizim dhe presion nga qytetarët. Sipas deputetit, institucionet e Kosovës e kishin për obligim të qëndronin pranë ish-krerëve dhe të angazhoheshin për këtë çështje, pavarësisht rezultatit që pritej nga procesi. “Institucionet e shtetit e kanë pasur për obligim me qëndru krahë dhe me u angazhu ditë e natë për mos me ardhë deri këtu ku jemi. Sepse tash pasojat janë tepër të mëdha dhe duhet punë shumëfish më e madhe, e shpenzim shumëfish më i madh edhe i buxhetit edhe i gjithçkafit për me arrit te rezultati i duhun”, ka deklaruar Rrahmani. “Unë prapë mendoj dhe vazhdoj të besoj që e vetmja zgjidhje është sheshi dhe presioni i qytetarëve për ta detyruar këtë pushtet të angazhohet seriozisht në këtë pikë”, u shpreh ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
