Qeveria e Kosovës ka formuar një grup punues ndërinstitucional për hartimin e një strategjie shtetërore lidhur me procedurat e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë. Grupin do ta drejtojë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili kishte shprehur pritjen që ish-krerët e UÇK-së të shpalleshin të pafajshëm. Vendimi u bë i ditur më 14 tetor, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Kryeministri Albin Kurti e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe tha se grupi synon të bashkërendojë mbështetjen juridike, institucionale e diplomatike për fazën e apelit. Grupi do të përfshijë përfaqësues nga Qeveria, Presidenca, Kuvendi dhe partitë parlamentare, përfshirë LVV-në, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në. Detyrat e tij përfshijnë hartimin e propozimit për strategjinë, identifikimin e nevojave të ekipeve mbrojtëse për dokumentacion dhe ekspertizë, si dhe shqyrtimin e materialeve historike e juridike. Propozimi fillestar dhe plani i veprimit duhet të përgatiten brenda 30 ditëve nga konstituimi i grupit; mandati i tij është gjashtë muaj. PDK-ja e ka mirëpritur formimin e grupit, por ka vlerësuar se një nismë e tillë duhej ndërmarrë më herët. Në LDK pritet të ketë kërkesë për më shumë hollësi rreth detyrave konkrete të grupit dhe asaj që do të përfshijë strategjia, ndërsa AAK-ja ka shprehur gatishmëri për të kontribuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
