Një muaj nga aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, vendimi i arsyetuar ende pritet

Të premten, më 16 tetor, bëhet një muaj nga shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara në Hagë. Deri tani është publikuar vetëm përmbledhja e aktgjykimit, prej rreth 40 faqesh. Trupi gjykues ende nuk ka publikuar vendimin e plotë të arsyetuar, i cili pritet të paraqesë hollësisht gjetjet dhe arsyetimin e gjykatës. Rregullorja e Dhomave të Specializuara nuk përcakton një afat të prerë për publikimin e vendimit të plotë, por parashikon që arsyetimi me shkrim të bëhet i disponueshëm sa më shpejt që të jetë e mundur. Dhomat e Specializuara nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me kohën kur pritet publikimi. Amer Aliaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se vendimi nuk duhet të vonohet. Duke iu referuar rasteve të mëparshme të Sali Mustafës dhe Pjetër Shalës, ai pret që aktgjykimi të publikohet gjatë muajit të ardhshëm. “Duke krahasuar praktikën e mëhershme në dy rastet e mëhershme të Sali Mustafës e Pjetër Shalës, praktika ka shkuar prej 31 ditë deri në 75 ditë përafërsisht. Besoj që ky rast është më voluminoz dhe sigurisht që administrata dhe redaktimi i trupit gjykues mundet me marrë kohë më shumë. Kjo varet se sa shpejt e lexojnë dhe e redaktojnë gjykimin, por besoj dhe shpresoj që gjatë muajit të ardhshëm të publikohet aktgjykimi”, ka thënë Aliaj.

Kontrolloni gjithashtu

Kanë filluar gërmimet vlerësuese në lokacionin e shënjuar në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës

Dy foshnja të zhdukura gjatë luftës u identifikuan pas më shumë se dy dekadash

Dy foshnja, të zhdukura gjatë luftës në Kosovë, janë identifikuar pas më shumë se dy …