FSK-ja dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë zgjerojnë bashkëpunimin në doktrinë dhe inovacion ushtarak

Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë po synojnë thellimin e bashkëpunimit në fushën e doktrinës, kërkimeve shkencore dhe inovacionit ushtarak, përmes shkëmbimit të përvojave dhe zhvillimit të koncepteve të reja në mbrojtje. Në këtë kuadër, delegacioni i Institutit të Kërkimeve Shkencore të FARSh-it, i udhëhequr nga gjeneral brigade Fatmir Neziraj, ka vizituar Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së, ku është pritur nga komandanti i kësaj komande, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, dhe përfaqësues të Qendrës së Doktrinës. Gjatë takimit janë diskutuar mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me fokus në shkëmbimin e përvojave profesionale, zhvillimin e doktrinës ushtarake dhe avancimin e inovacionit në fushën e mbrojtjes. Bashkëpunimi në këto fusha synon të krijojë mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe për zhvillimin e koncepteve që i përgjigjen sfidave të reja të sigurisë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni nga Shqipëria ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe në varrezat e dëshmorëve në Koshare, në nderim të atyre që ranë për lirinë e Kosovës. Vizita shënon vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të mbrojtjes së Kosovës dhe Shqipërisë, me synimin e shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të kapaciteteve profesionale në fushën ushtarake.

Kontrolloni gjithashtu

Policia e Kosovës dhe KFOR-i forcojnë koordinimin në pjesën veriore të vendit

Drejtues të lartë të Policisë së Kosovës dhe të NATO-s kanë vizituar më 15 tetor …