Vlora Çitaku: Çlirimtarët tanë nuk do t’i lëmë vetëm

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar një muaj pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët, sipas aktgjykimit, u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Çitaku e ka cilësuar vendimin si të padrejtë, duke theksuar se pasojat e tij rëndojnë mbi të dënuarit, familjet e tyre dhe qytetarët që besojnë se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Ajo ka përmendur edhe protestat 21-ditore, të cilat, sipas saj, shprehën kundërshtimin qytetar ndaj asaj që e konsideron padrejtësi. Çitaku ka theksuar se mbështetja për katër ish-drejtuesit e UÇK-së do të vazhdojë edhe në fazën e apelit, ndërsa ka kërkuar angazhim institucional për mbrojtjen e tyre dhe të vlerave të luftës çlirimtare. “Ajo që u projektua si goditje ndaj UÇK-së, e riktheu atë në qendër të vetëdijes sonë kombëtare, si vlerë të pakontestueshme që e bashkon Kosovën”, ka shkruar ajo. Duke folur për hapat e ardhshëm, Çitaku ka përmendur nismat për mbështetjen e mbrojtjes në apel dhe për mbrojtjen e UÇK-së, duke kërkuar që këto angazhime të çohen deri në fund. “Qëndrimi ynë është kristal i qartë: çlirimtarët tanë nuk do t’i lëmë vetëm. Në asnjë ditë. Në asnjë betejë. Do të jemi pranë tyre, deri në kthimin e tyre të lirë mes nesh – në Atdhe!”, ka përfunduar Çitaku.

Kontrolloni gjithashtu

Policia e Kosovës dhe KFOR-i forcojnë koordinimin në pjesën veriore të vendit

Drejtues të lartë të Policisë së Kosovës dhe të NATO-s kanë vizituar më 15 tetor …