Komandanti i KFOR-it takohet me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, diskutojnë për sigurinë në Kosovë

Komandanti i misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Roberto Vergori, është takuar me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit në rajon. Lajmi është bërë i ditur nga KFOR-i përmes një njoftimi zyrtar, ku thuhet se takimi shërbeu për vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet dy zyrtarëve, pas emërimit të Vergorit në krye të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Gjatë takimit, Vergori dhe Nufi shkëmbyen pikëpamje për bashkëpunimin dhe riafirmuan përkushtimin e tyre të përbashkët për ruajtjen e paqes dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Sipas njoftimit, vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së koordinimit për garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për ruajtjen e stabilitetit në të gjithë Ballkanin Perëndimor. KFOR-i vazhdon të kryejë misionin e tij në Kosovë, në përputhje me mandatin e përcaktuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata Speciale në Hagë pranon prova për raportet UÇK–FARK dhe aktivitetet e Jakup Krasniqit në LDK

Gjykata Speciale në Hagë ka bërë publike një vendim të tetorit 2025, përmes të cilit …