Është e pakuptimtë që për 20 ditë të mobilizohen protesta për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, që ligji të miratohet, e më pas vetë PDK-ja të kërkojë kthimin e tij në Kuvend.
Ky veprim ngre pikëpyetje serioze për qëndrueshmërinë e qëndrimeve politike, koherencën e vendimmarrjes dhe seriozitetin e udhëheqjes së partisë. Mbi të gjitha, krijon dyshimin se prapa gjithë kësaj zhurme politike mund të fshihet një agjendë tjetër.
Pse duhet të jetë pikërisht PDK-ja ajo që kërkon rikthimin e ligjit në Kuvend? Presidentja kishte mundësi ta kthente ligjin për rishqyrtim edhe pa një kërkesë të tillë nga PDK-ja. Atëherë, çfarë synohet me këtë veprim? A po tentohet që përgjegjësia politike për dekretimin ose mosdekretimin e ligjit t’i bartet dikujt tjetër?
Kjo situatë krijon hapësirë për dyshime që PDK-ja duhet t’i sqarojë publikisht. A ishte e gjithë ajo fushatë dhe mobilizim për ta mbrojtur një kauzë të caktuar, apo po përdoret kjo çështje për qëllime të tjera politike? Nëse veprimet e fundit përfundojnë duke i krijuar lehtësi politike pushtetit të Albin Kurtit, atëherë qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë shpjegime të qarta për këtë kontradiktë.
Por ekziston edhe një dyshim tjetër, po aq i rëndësishëm: a po shfrytëzohet kjo çështje për një përplasje të brendshme në PDK, ku një grup synon të dobësojë tjetrin dhe ta marrë kontrollin e udhëheqjes së partisë?
Këto janë pyetje që nuk mund të zëvendësohen me heshtje, arsyetime të paqarta apo deklarata politike të çastit.
Një parti që pretendon të përfaqësojë interesat e çlirimtarëve dhe të mbrojë një kauzë kaq të ndjeshme duhet të ketë qëndrime të qarta, strategji të qëndrueshme dhe përgjegjësi për vendimet e veta.
PDK-ja duhet t’u përgjigjet qytetarëve: cila është strategjia e saj, kush mban përgjegjësi për këto vendime dhe në shërbim të kujt po zhvillohen gjithë këto lëvizje politike?
Sepse kur një kauzë shoqërohet me veprime që duken kontradiktore, dyshimet nuk lindin pa arsye. Ato kërkojnë sqarim, transparencë dhe përgjegjësi politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
