Tefta Cami: PROF.LUAN BAHRI OMARI DO TË JETOJË ME VEPRAT E TIJ!

Luan Omari lindi e u rrit dhe u formua në një familje me tradita patriotike shqiptare, për t’i shërbyer Shqipërisë e kombit shqiptar.
Jetëgjatësia e tij i krijoi mundësi, që të shërbejë e kontribojë me profesionalizëm në dy sistemet politiko-shoqërore të Shqipërisë dhe në Europë.
Prof. Luan Omari ishte një nga personalitetet më të rëndësishëm të jurisprudencës, arsimit të lartë dhe shkencës shqiptare. Jeta e tij profesionale përfshiu dy periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë: sistemin socialist dhe periudhën e tranzicionit demokratik. Në të dyja, ai u shqua si studiues i së drejtës, si pedagog e akademik dhe konstitucionalist.
Sipas marrëdhënieve politike që kishte Shqipëria me Jugosllavin dhe Bullgarinë, Luan Omari u formua në fushën e drejtësisë përmes studimeve në Beograd dhe Sofje, ku është diplomuar në shkencat juridike. Pas kthimit në Shqipëri, ai i është përkushtua arsimit të lartë dhe studimit të së drejtës publike.
Në vitet 1954–1957 ka punuar si docent i së Drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik të Tiranës. Më pas, nga viti 1957 deri më 1974, ka drejtuar si dekan në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Në këtë funksion, ai ka kontribuar në zhvillimin e arsimit juridik dhe në formimin profesional të brezave të juristëve shqiptarë.
Një nga kontributet e tij më të rëndësisishëm i asaj periudhe ishte pjesëmarrja në krijimin dhe zhvillimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë si ndër themeluesit e sajë. Gjatë viteve 1972–1993, ka qenë i zgjedhur sekretar shkencor. Kjo veprimtari e vendosi në një rol të rëndësishëm në krijimin e funksionimin e strukturava shkencore të Akademisë së Shkencave, në organizimin dhe drejtimin e kërkimit shkencor në vend dhe të bashkëpunimit me Akademitë e Shkencave të disa vendeve perëndimore dhe sidomos me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, veçanërisht, në fushën e shkencave albanalogjike në Shqipëri e Kosovë, duke u shdërruar Shqipëria në qendrën kryesore të studimeve e të mendimit shkencor për albanalogjinë në Europë.
Janë realizuar disa aktivitete të përbashkëta midis punonjësve shkencor të Shqipërisë e të Kosovës dhe Maqedonisë si: Në fushën e dialektologjisë; të leksikologjisë; të ndërtimeve tradicionale arkitekturore; të veshjeve popullore.
Qendra Arkeologjike e Akademisë së Shkencave ka bërë gërmime arkeologjike në qytetin e lashtë të Dardanisë të Ulpianës në bashkëpunim dhe për të specializuar arkeologët e Kosovës. Kam takuar profesorët Selim Islami e Skënder Anamalin gjatë vizitës time në Kosovë në tetor të vitit 1980, që më kërkuan shtimin e ditëve për dy javë, për të mbaruar projektin e filluar.
Nga vitet 1968 deri në shpërthimin e demonstratave të nxënësve e studentëve dhe popullitd shqiptarë të Kosovës me parrullat “Kosova Republikë”, “Republikë Kushtetutë, ja me hatër-ja me luftë” në mars-prill 1981 janë zhvilluar aktivitete të përbashkëta midis dy Akademive Shqiptare, të Shqipërisë e të Kosovës.
Si sekretar i Akademisë së Shkencave, Luan Omari ka dhënë kontribut të madh në organizimin e disa aktiviteteve të rëndësishme shkencore, që janë zhvilluar në Shqipëri si:
1-Konferenca e Dytë e Studimeve Albanalogjike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Epoka e Tij”. viti 1968. Kanë marrë pjesë për herë të parë 4 historianë nga Kosova të ftuar nga ASHSH, si dhe studiusë të huaj nga Europa dhe Repubkika e Kinës.
2-“Kongresi i Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe” më 20 nëntor, viti 1972- Është realizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ku kanë bashkëpunuar e kanë referuar studiusë nga Shqipëria e Kosova dhe viset e tjera shqiptare, arbëresh të Italisë dhe studiusë të huaj.
3-“Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire”; 15-20 shtator 1972. Kanë marrë pjesë e kanë referuar studiusë nga Shqipëria e Kosova, arbëresh të Italisë dhe Europa.
4-Konferenca Shkencore për kremtimin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në RPSSH dhe në KSA të Kosovës; qershor, viti 1978.
Kanë marrë pjesë e kanë referuar studiusë nga Shqipëria e Kosova, arbëresh të Italisë e për herë të parë arbëreshë të Kroacisë, si dhe studiusë të Europës.
Në fushën e studimeve juridike, Omari u muar me teorinë e shtetit, të drejtën publike, historinë e shtetit dhe të së drejtës shqiptare, si dhe me analizën e institucioneve politike. Ndër veprat e tij të kësaj periudhe përmendet “Revolucioni popullor në Shqipëri dhe pushteti politik” (1977), ndërsa më vonë ka qenë bashkautor i veprave historike e juridike.
Veprimtaria shkencore në sistemin socialist u zhvillua brenda kuadrit politik dhe ideologjik të kohës. Gjatë atyre viteve ka dhënë një kontribut të madh edhe në zhvillimin e arsimit juridik dhe të institucioneve shkencore.
Profesor Luan Omari vazhdoi të kontribojë edhe pas viteve 1990-të.
Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, Luan Omari vazhdoi veprimtarinë e tij si jurist, studiues dhe intelektual. Në këtë periudhë, një rëndësi të veçantë mori angazhimi i tij në diskutimet mbi organizimin e shtetit demokratik dhe mbi parimet e reja kushtetuese.
Ai u përfshi në proceset dhe debatet për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe të ligjeve kushtetuese pas vitit 1990. Përvoja e tij e gjatë në të drejtën publike dhe kushtetuese ishte e rëndësishme në trajtimin e çështjeve si ndarja e pushteteve, funksionimi i parlamentit, të drejtat e qytetarëve dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës.
Në këtë periudhë, ai botoi disa nga veprat e tij më të njohura, ndër të cilat:
“Parime dhe institucione të së drejtës publike” (1993);
“Sistemi parlamentar” (1995);
“Shteti i së drejtës” (2000/2002);
“Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese” (2011).
Këto studime trajtojnë çështje themelore të organizimit të shtetit dhe të funksionimit të institucioneve demokratike. Ato dëshmojnë se, pas ndryshimit të sistemit, interesi i tij shkencor u përqendrua veçanërisht te parimet e demokracisë kushtetuese dhe te shteti i së drejtës.
Kontributi i tij mori edhe një dimension ndërkombëtar. Në vitet 1998–2006, Omari ishte anëtar i Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Evropës, ndërsa në vitet 2003–2005 mbajti detyrën e zëvendës kryetarit të Komisionit të Venecias. Në këtë cilësi, ai përfaqësoi Shqipërinë në diskutimet evropiane për demokracinë, kushtetutat dhe shtetin e së drejtës.
Jeta dhe veprimtaria e prof. Luan Omarit përbëjnë një dëshmi të vazhdimësisë së punës shkencore dhe të angazhimit intelektual në dy periudha të ndryshme të historisë shqiptare. Në sistemin socialist, ai dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit të lartë juridik dhe në organizimin e shkencës shqiptare. Pas vitit 1990, ai vuri përvojën dhe dijet e tij në shërbim të diskutimeve për shtetin demokratik, institucionet kushtetuese dhe të drejtën publike.
Trashëgimia e tij nuk qëndron vetëm te numri i veprave të botuara apo te funksionet që mbajti, por edhe te ndikimi në formimin e juristëve, në zhvillimin e mendimit juridik shqiptar dhe në trajtimin shkencor të problemeve të shtetit e të së drejtës.
Luan Omari ishte një personalitet që e ndërtoi veprimtarinë e tij në dy sisteme të ndryshme, duke mbetur i lidhur me shkencën juridike, arsimin dhe institucionet e dijes shqiptare.
I ndieri Luan Omari do t’u mungojë jo vetëm familjarëve e të afërmve, miqve e shokëve, por gjithë shqiptarisë!
U prehtë në paqe në mëmëdheun e tij, që i shërbeu me idealizëm e profesionalizëm dhe me shumë përkushtim!
Tefta Cami-ish/ministre e Arsimit dhe Kulturës
Tiranë, e shtunë, 31 tetor, 2026

Kontrolloni gjithashtu

Forum/ Flasin Prof. Gjergji Foto, ing. Prof. Pal Nikolli, ing. Nikollaq Gjergji, ing. Selman Meziu, Prof As. Jorgji Hanxhari: (Intelektualët në mbështetje të kërkesave të studentëve: Po, protestës, jo dhunës!)

-Rrogat e larta të qeveritarëve, luksi i tyre i shfrenuar, korrupsioni galopant, indiferenca ndaj problemeve …