Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Serbia duhet të tregojë rezultate konkrete në rrugën drejt integrimit evropian, duke përfshirë edhe njohjen e Kosovës si një nga çështjet që nuk mund të anashkalohet në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjatë një interviste me gazetaren Maria Tadeo, në kuadër të samitit Euronews Enlargement Summit në Bruksel, Rama foli për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe rolin e Serbisë në stabilitetin rajonal. Ai vlerësoi se integrimi i Serbisë në BE është i rëndësishëm për të ardhmen e rajonit, por theksoi se Beogradi duhet të dëshmojë gatishmëri për përmbushjen e kushteve evropiane, veçanërisht në raport me Kosovën dhe qëndrimin ndaj Rusisë dhe sanksioneve ndërkombëtare. “Fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë”, deklaroi Rama. Ai shtoi se ka qenë vazhdimisht mbështetës i përfshirjes së Serbisë në projektin evropian, duke kundërshtuar largimin e saj nga kjo perspektivë, por nënvizoi se anëtarësimi në BE duhet të meritohet përmes rezultateve dhe përmbushjes së detyrimeve. “Na duhet Serbia të jetë me ne, të jetë pjesë e fqinjësisë dhe të jetë pjesë e plotë e BE-së, por duhet të tregojë rezultate dhe ta meritojë këtë përkatësi, duke realizuar atë që është e panegociueshme me BE-në”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
