Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dënon fuqishëm kërcënimet me vrasje dhe përdhunim ndaj organizatoreve të protestave kundër femicidit, veçanërisht ndaj aktivistes Anita Nikaj. Shprehim solidaritetin e plotë me të gjitha aktivistet e kërcënuara dhe kërkojmë reagim të menjëhershëm institucional për mbrojtjen e tyre.
Këto kërcënime janë dhunë dhe frikësim me bazë gjinore. Ato synojnë t’i heshtin gratë, t’i largojnë nga hapësira publike dhe t’i ndëshkojnë sepse kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie. Kërcënimet për përdhunim dhe vrasje cenojnë drejtpërdrejt sigurinë, integritetin dhe jetën e grave. Ato nuk mund të justifikohen si liri shprehjeje apo mospajtim politik.
Gratë që protestojnë kundër femicidit po kërcënohen me të njëjtën dhunë kundër së cilës po ngrejnë zërin. Kjo është alarm për institucionet dhe për mbarë shoqërinë. Asnjë grua nuk duhet të rrezikojë jetën sepse kërkon që gratë të mos vriten.
Kërkojmë nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria që të veprojnë pa vonesë: të hetojnë çdo kërcënim të raportuar, të identifikojnë autorët dhe t’i vënë para drejtësisë. Njëkohësisht, kërkojmë vlerësim urgjent të rrezikut dhe masa konkrete e të menjëhershme për mbrojtjen e aktivisteve, në konsultim me to.
Institucionet kanë përgjegjësi të parandalojnë dhunën. Nuk duhet të presin që kërcënimet të kthehen në sulme për të vepruar. Çdo vonesë në trajtimin e tyre e lë të hapur rrezikun dhe ushqen pandëshkueshmërinë.
U bëjmë thirrje përfaqësuesve politikë dhe institucioneve publike t’i dënojnë qartë e pa ekuivok këto kërcënime dhe të kundërshtojnë çdo gjuhë që nxit, justifikon apo legjitimon dhunën ndaj grave. Siguria e aktivisteve dhe e drejta e tyre për të protestuar duhet të mbrohen pa dallim dhe pavarësisht bindjeve politike.
Gratë kanë të drejtë të protestojnë, të kritikojnë pushtetin dhe të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet. Kjo e drejtë nuk negociohet dhe nuk mund të kushtëzohet me heshtje përballë dhunës.
Kërkojmë mbrojtje për aktivistet, ndëshkim për kërcënuesit dhe veprim nga institucionet — tani. Frikësimi nuk do ta heshtë zërin tonë dhe as kërkesën për drejtësi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
