Kontratat e reja të punës për mësimdhënësit në shkollat e Prishtinës kanë nxitur kundërshtime nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, e cila u ka bërë thirrje shkollave të mos i nënshkruajnë ato. Sipas raportimit të Klan Kosovës, kontratat parashohin që mësimdhënësit, përveç mbajtjes së orëve mësimore, të kryejnë edhe përgatitjet në shkollë, duke pasur orar të plotë tetëorësh. Kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se kundërshtimi i sindikatës ka ndikuar që drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, të tërhiqet nga qëndrimi fillestar. Ndërkohë, njohës të çështjeve të arsimit kanë ngritur dilema për ligjshmërinë e ndryshimit të kontratave pa u shkëputur paraprakisht marrëveshjet ekzistuese. Ata theksojnë se zbatimi i një orari të tillë kërkon edhe kushte të përshtatshme në shkolla, përfshirë qasjen në internet. Drejtori i Arsimit në Prishtinë nuk ka kthyer përgjigje për lidhur me kontratat e reja dhe mungesën e internetit në shkolla.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
