Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar në gjashtëvjetorin e arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke e cilësuar të papranueshëm aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me gjithsej 81 vjet burgim. Çitaku ka vlerësuar se procesi në Hagë nuk prek vetëm fatin e katër të akuzuarve, por ngre çështje që lidhen me historinë e luftës çlirimtare dhe rrugën e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë. Ajo ka kundërshtuar aktgjykimin, duke pretenduar se ai bie ndesh me provat, standardet e gjykimit të drejtë dhe të vërtetën historike të luftës së UÇK-së. Duke iu referuar përgjegjësisë institucionale, Çitaku ka kërkuar një angazhim të përbashkët shtetëror për procesin e apelit, përmes hartimit të një strategjie shtetërore, forcimit të mbrojtjes juridike, sigurimit të mbështetjes financiare dhe intensifikimit të angazhimit diplomatik. Ajo ka bërë të ditur se paralelisht po punohet edhe për plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, me synimin e krijimit të një mbështetjeje më të qëndrueshme juridike për ish-krerët e UÇK-së. Çitaku ka rikujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i sakrificës së popullit, luftës së UÇK-së dhe mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-së, vendeve evropiane dhe NATO-s. “Nuk po kërkojmë privilegje, por drejtësi”, ka theksuar ajo, duke shtuar se një aktgjykim nuk mund ta rishkruajë historinë e një populli që luftoi për liri. Në përfundim, Çitaku u ka dërguar mesazh mbështetjeje katër ish-krerëve të UÇK-së, duke siguruar se nuk do t’i lënë vetëm.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
