Dirk Schuebel kërkon respektimin e mandatit të Speciales

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka rikujtuar se Kosova është e obliguar të respektojë mandatin aktual të gjykatës speciale në Hagë, duke vënë theksin te detyrimet ndërkombëtare të vendit, pavarësia e gjyqësorit dhe sundimi i ligjit. Duke folur në konferencën për media, pas prezantimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, Schuebel ka bërë të qartë se mandati i Gjykatës Speciale nuk mund të trajtohet jashtë obligimeve që Kosova ka marrë përsipër në raport me institucionet ndërkombëtare. “Mandati aktual në fuqi i gjykatës speciale duhet të respektohet, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe me respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit”, deklaroi ambasadori i BE-së. Ky qëndrim vjen në një kohë kur në Kosovë është hapur debat politik dhe institucional për të ardhmen e Gjykatës Speciale, pas vendimit të 16 shtatorit 2026 ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët në shkallën e parë u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Nisma për ndryshimin e Ligjit për gjykatën speciale u ndërmor nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, me synimin për të rishikuar mandatin dhe kompetencat e kësaj gjykate, për të kufizuar dënimet deri në 15 vjet burgim dhe për të mundësuar që dënimet të vuajnë në Kosovë. Deklarata e ambasadorit Schuebel rikthen në vëmendje kufijtë politikë dhe institucionalë të kësaj nisme, e cila, përveç kundërshtimeve dhe debateve brenda vendit, përballet edhe me qëndrimin e qartë të Bashkimit Evropian për respektimin e mandatit aktual të Speciales.

Kontrolloni gjithashtu

Riho Terras: Bllokada politike i kushtoi Kosovës një vit e gjysmë të humbur në reforma

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka deklaruar se bllokada politike dhe institucionale …