Altin Krasniqi: Uniteti në PDK është forcë për krerët e UÇK-së dhe shpresë për të ardhmen e vendit

Altin Krasniqi për ish-krerët e UÇK-së: Po mbahen peng të një drejtësie të padrejtë

Altin Krasniqi ka reaguar lidhur me aktgjykimin e 16 shtatorit 2026 në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke vlerësuar se pasojat e këtij vendimi mund të shtrihen përtej përgjegjësisë individuale të të akuzuarve dhe të ndikojnë në interpretimin ndërkombëtar të luftës çlirimtare të Kosovës.

Në një reagim publik, Krasniqi ka rikujtuar periudhën e shtypjes sistematike të shqiptarëve nga regjimi serb, rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe kalimin drejt rezistencës së armatosur, duke theksuar rolin e UÇK-së në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

Ai ka vlerësuar se sakrifica e familjes Jashari në Prekaz, qëndresa e zonave operative dhe lufta e UÇK-së ishin faktorë vendimtarë që e vunë Kosovën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe ndikuan në krijimin e rrethanave për ndërhyrjen e NATO-s.

Duke iu referuar aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Krasniqi ka pretenduar se procesi gjyqësor dhe vendimi i shpallur rrezikojnë të krijojnë një perceptim të gabuar për luftën e UÇK-së dhe objektivat e saj çlirimtare.

Sipas tij, ekziston rreziku që shtetet kundërshtare të pavarësisë së Kosovës ta përdorin këtë aktgjykim në ofensivat e tyre diplomatike, duke e paraqitur atë si argument kundër vetë luftës çlirimtare, e jo vetëm si vendim për përgjegjësi individuale.

Krasniqi ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, në arsyetimin e aktgjykimit është trajtuar struktura politike dhe komanduese e UÇK-së, duke e lidhur këtë me përpjekjet për të njollosur objektivat e saj historike për liri dhe pavarësi.

Ai ka përmendur gjithashtu dëshmitë e personaliteteve ndërkombëtare, diplomatëve amerikanë dhe evropianë, si dhe të familjarëve të viktimave, duke pretenduar se përmbajtja e tyre nuk përputhet me përfundimet e aktgjykimit.

Në reagimin e tij, Krasniqi u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta mbrojnë të vërtetën historike të luftës së UÇK-së, ndërsa qytetarëve dhe spektrit politik u ka kërkuar të lënë anash dallimet politike kur bëhet fjalë për vlerat e luftës çlirimtare.

“Pas 16 shtatorit, u pa shumë mirë se, nëse ka mbetur një vlerë që na bashkon si popull, pa dyshim se ajo është vlera më sublime e historisë shqiptare: UÇK-ja”, ka shkruar Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

IKD: Raporti i BE-së nxjerr në pah stagnimin e Kosovës në sundimin e ligjit, drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për …