“Liria ka Emër” i drejtohet institucioneve të BE-së, kërkon shqyrtimin e standardeve të drejtësisë në Speciale

Platforma Qytetare “Liria ka Emër” u është drejtuar institucioneve të Bashkimit Evropian me një kërkesë për shqyrtimin e shqetësimeve lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut, standardeve të drejtësisë dhe transparencës institucionale në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Përfaqësuesja e kësaj platforme, Eliza Hoxha, ka bërë të ditur se kërkesa u është adresuar Parlamentit Evropian, Komisionit për Punë të Jashtme, Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm.

Hoxha ka theksuar se kjo nismë nuk synon kundërshtimin e drejtësisë apo shmangien e përgjegjësisë penale, por kërkon që proceset gjyqësore të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe garancitë për të drejtat themelore të njeriut.

Duke folur për arsyet e kësaj nisme, ajo ka rikujtuar rrethanat historike në të cilat u zhvillua lufta në Kosovë, duke theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u formua në kushtet e shtypjes, dëbimeve masive dhe dhunës së regjimit serb ndaj popullit shqiptar.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në ato rrethana, si një forcë që luftoi për çlirimin dhe mbijetesën e popullit tonë”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo ka ngritur gjithashtu shqetësimin për numrin e mekanizmave ndërkombëtarë që janë marrë me hetimin dhe ndjekjen gjyqësore të pjesëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së gjatë më shumë se dy dekadave, duke përmendur UNMIK-un, Tribunalin e Hagës, EULEX-in dhe Dhomat e Specializuara.

Sipas saj, vazhdimësia e këtyre proceseve ka krijuar një situatë që kërkon shqyrtim më të gjerë institucional, veçanërisht sa i përket dallimit ndërmjet përgjegjësisë individuale penale dhe perceptimit që krijohet për vetë luftën çlirimtare.

“Çfarë ushtrie ka pasur Kosova? Ushtrinë e Kinës? Sepse, kur shohim gjithë këta mekanizma ndërkombëtarë, gjithë këto hetime dhe gjithë këtë vazhdimësi procesesh, krijohet përshtypja sikur po flasim për një nga ushtritë më të mëdha të botës, e jo për një forcë çlirimtare të një populli të vogël që luftonte për mbijetesë”, ka deklaruar ajo.

Hoxha ka theksuar se platforma nuk kërkon imunitet për askënd dhe as përjashtim nga përgjegjësia penale, por kërkon garanci për një proces të drejtë dhe respektim të të drejtave të të gjithë të përfshirëve.

“Ne nuk po themi se askush nuk duhet të hetohet. Ne nuk po kërkojmë imunitet për askënd. Por po pyesim: kur përfundon drejtësia individuale dhe kur fillon perceptimi i një procesi të pafundmë të vënies në dyshim të një lufte çlirimtare?”, ka theksuar Hoxha.

Gjashtë kërkesat drejtuar Parlamentit Evropian

Në dokumentin e dërguar institucioneve evropiane, Platforma “Liria ka Emër” ka paraqitur gjashtë kërkesa konkrete:

  1. Organizimin e një dëgjimi të posaçëm parlamentar për shqetësimet e evidentuara në raportin e Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC), si dhe për çështjet që lidhen me të drejtat themelore në Dhomat e Specializuara.
  2. Kërkimin e një vlerësimi të pavarur ndërkombëtar për praktikën institucionale dhe respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut.
  3. Nxitjen e Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm për përgatitjen e një raporti të posaçëm mbi transparencën dhe përgjegjësinë institucionale të Dhomave të Specializuara.
  4. Shqyrtimin e mekanizmave të financimit dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga shtetet kontribuuese dhe institucionet përkatëse.
  5. Shqyrtimin e mundësisë së një nisme parlamentare përmes rezolutës, rekomandimit apo instrumenteve të tjera, me qëllim forcimin e mekanizmave të pavarur të monitorimit.
  6. Mundësimin e një takimi me përfaqësuesit e Platformës Qytetare “Liria ka Emër”, për prezantimin e shqetësimeve, dokumentacionit dhe propozimeve për veprim institucional.

Përmes kësaj nisme, platforma synon që shqetësimet e saj për funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe respektimin e standardeve të drejtësisë të trajtohen edhe në nivelin institucional të Bashkimit Evropian.

Kontrolloni gjithashtu

Dirk Schuebel kërkon respektimin e mandatit të Speciales

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka rikujtuar se Kosova është e obliguar …