Nexhmedin Bashota: Qoftë i përjetshëm kujtimi për Profesorin dhe Rilindasin tonë, AHMET QERIQI!

Ai do të kujtohet përherë, ndër brezat e ardhshëm, si shkrimtar, studiues i thellë i historisë kombëtare, studiues i letërsisë dhe i shumë veprave të mëdha botërore, i cili na ka lënë një bagazh të pasur studimesh, prej të cilave do të mësojnë edhe gjeneratat e reja.

Profesori, në të kaluarën, përjetoi sfida të rënda nga regjimi barbar serb, pasi kishte trashëguar atdhedashurinë nga babai dhe gjyshi. Të gjithë, edhe ata, ishin të përsekutuar nga regjimi i egër serb, por qëndruan të patundur deri në fund të jetës.

Profesori, baca ynë Ahmet, vazhdoi traditën e të parëve deri në kohën e luftës së fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e arriti kohën për ta përmbyllur tërë amanetin e rilindësve dhe patriotëve të kombit, duke e marrë njëkohësisht pushkën dhe pendën, deri në çlirimin e Kosovës nga barbaria kolonialiste serbe.

Në një takim para ca kohësh, kur ishim së bashku, miku ynë Sadik Halitjaha na mbajti edhe një fjalim shumë domethënës për veprimtarinë e profesorit, ku na përshkroi punën dhe angazhimin e tij. Njëra ndër thëniet e tij ishte veçanërisht me vlerë, kur tha se prof. AHMET QERIQI ishte i vetmi ndër kolosët e Rilindjes që e kapi edhe pushkën e lirisë për çlirim.

Arbanë, ju ishit krahu i djathtë i profesorit dhe ai ju ka lënë një veprimtari për ta vazhduar. Ka ardhur një kohë e rëndë, pasi disa njerëz e harruan kohën e vështirë që e kaluam dhe iu rrekën interesave personale, duke lënë anash shumë premtime që i patën dhënë se, kur të çliroheshim nga barbarët serbë, do të bënin këtë e atë. Por jo, harruan idealin dhe sot nuk çajnë kokën se ende ka njerëz që nuk i kanë harruar e as nuk i kanë tradhtuar premtimet.

Ju sot po përballeni me shumë vështirësi për ta mbajtur gjallë RADIO KOSOVËN E LIRË, duke e ruajtur kujtimin për historinë kombëtare, folklorin, këtë begati të madhe që e kemi, si dhe lavdinë e UÇK-së, heronjve dhe martirëve të luftës.

Modestia juaj, si luftëtare e UÇK-së, dhe fakti që edhe sot vazhdoni të punoni pa u lodhur, pa dalë në skenë si shumë të tjera, shoqe tuajat, që i ke edhe në politikë e në Parlament, por që nuk kanë aspak afërsi me meritat tuaja, dëshmojnë se jeni një zonjë e vërtetë, e devotshme dhe shumë modeste.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Alta Banka – sa mjete publike janë ekspozuar ndaj rrezikut financiar?

Rasti i Alta Bankës ngre pyetje që shkojnë shumë përtej problemeve të një banke. Bëhet …