Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vazhdon ta përdorë retorikën e kërcënimeve dhe të viktimizimit për ta paraqitur Serbinë si mbrojtëse të serbëve në Kosovë, ndërkohë që nuk heq dorë nga mesazhet konfrontuese ndaj institucioneve të Kosovës dhe pranisë ndërkombëtare të sigurisë. “Për momentin, një konflikt me NATO-n nuk na nevojitet, por e bëjmë të qartë se nuk do të lejojmë dëbimin e popullit tonë”, ka deklaruar Vuçiqi, duke iu referuar situatës në Kosovë dhe duke pretenduar se po mbron qytetarët serbë në Mitrovicë. Deklarata e tij, përtej gjuhës së paraqitur si shqetësim për qytetarët serbë, përmban një mesazh të qartë kërcënues, pasi përmend drejtpërdrejt mundësinë e një konflikti me NATO-n. Kjo retorikë nuk është e re. Për vite me radhë, Beogradi zyrtar ka ndërtuar një diskurs politik që Kosovën e paraqet si kërcënim për serbët, ndërsa përgjegjësinë për tensionet përpiqet ta zhvendosë vazhdimisht te institucionet e Prishtinës. Të njëjtën qasje po e shfaqin edhe përfaqësues të Listës Studentore të Serbisë, të cilët gjatë ditës së sotme kanë vizituar Kosovën dhe janë pritur nga mitropoliti i Rashkë-Prizrenit, Teodosije, në Manastirin e Graçanicës. Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit e kësaj liste kanë përdorur një gjuhë të ngjashme me atë të Beogradit zyrtar dhe Listës Serbe, duke folur për pretendime lidhur me vështirësitë e serbëve në Kosovë, si ruajtja e shtëpive familjare, arsimimi i fëmijëve, qasja në shërbime shëndetësore dhe siguria. Nëse edhe përfaqësuesit e një liste që pretendon të sjellë ndryshim në skenën politike serbe e përsërisin të njëjtën retorikë të Vuçiqit dhe Listës Serbe, atëherë lind pyetja se sa larg është në të vërtetë ky ndryshim nga politika që Serbia ka ndjekur ndaj Kosovës për dekada.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
