Daut Haradinaj ngre alarmin për energjinë dhe shëndetësinë: B1 nuk kthehet në punë, 766 mjekë dhe 2 224 infermierë janë larguar nga Kosova

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka ngritur shqetësime për dy prej sektorëve më të rëndësishëm të vendit, energjinë dhe shëndetësinë, duke paralajmëruar pasoja financiare nga vonesat në remontin e Bllokut B1 të KEK-ut dhe largimin e mijëra profesionistëve shëndetësorë nga Kosova. Haradinaj ka deklaruar se, sipas informatave që posedon, riparimi i Bllokut B1 nuk ka përparuar dhe se kjo njësi nuk pritet të rikthehet në funksion as deri në fund të dhjetorit dhe as gjatë janarit. Ai ka paralajmëruar se mungesa e kapaciteteve prodhuese do ta detyrojë Kosovën të importojë energji elektrike, duke pretenduar se tregtarët e energjisë mund të përfitojnë edhe 200 deri në 300 milionë euro shtesë, ndërsa faturën do ta paguajnë qytetarët. “Ky projekt as që ka filluar dhe nuk pritet të ndodhë as më 31 dhjetor e as në janar. Kështu që Kosova do të blejë rrymë dhe kryesisht është lajm i mirë për ata që i kemi quajtur mafi energjetike ballkanike, se i kanë fërkuar duart që do t’i shesin Kosovës rrymë edhe për 200-300 milionë euro shtesë”, ka deklaruar Haradinaj. Krahas krizës energjetike, Haradinaj ka ngritur edhe çështjen e largimit të personelit shëndetësor, duke publikuar shifra që, sipas tij, tregojnë përmasat e humbjes së kuadrove profesionale gjatë pesë vjetëve të fundit. Ai ka deklaruar se nga Kosova janë larguar 766 mjekë specializantë dhe 2 224 infermierë, duke kundërshtuar njëkohësisht interpretimin e deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për kthimin e 171 mjekëve në Kosovë gjatë vitit 2025. Deklaratat e Haradinajt hapin dy çështje me peshë për vendin: vonesat në kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike dhe humbjen e vazhdueshme të personelit të kualifikuar shëndetësor.

Kontrolloni gjithashtu

Mbi 8.4 miliardë euro vlerë metalesh në mbetjet industriale të Trepçës

Mbetjet industriale të Trepçës, të grumbulluara ndër dekada në deponi nëpër Kosovë, përmbajnë metale me …