Edi Rama nga Parisi: Kosova është shtet i pavarur, nuk mund të kthehet në një fantazi të re serbe

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Parisi se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe se Serbia duhet ta pranojë Kosovën si fakt të jetës politike dhe ndërkombëtare. Gjatë një diskutimi në “Musée de l’Homme”, në kuadër të Forumit të Paqes, Rama foli për raportet në rajon, marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, si dhe për pozitën e Kosovës. Ai theksoi se Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend paqedashës dhe se, pavarësisht vështirësive në raportet me fqinjët, realitetet politike dhe gjeografike nuk mund të ndryshohen sipas dëshirave të askujt. Duke folur për Kosovën, Rama u shpreh se pavarësia e saj nuk mund të zhbëhet dhe se pretendimet për ta rikthyer atë nën ndonjë formë tjetër të dominimit serb nuk kanë bazë në realitetin e sotëm. “Kosova është e pavarur si shtet, njihet nga të gjithë, nuk ka më kthim mbrapa dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi të re serbe. Sa më shpejt që serbët të kuptojnë se duhet ta shohin Kosovën si një fakt të jetës, aq më mirë do të jetë për ta”, deklaroi Rama. Kryeministri shqiptar, duke iu referuar raporteve ndërmjet BE-së dhe Serbisë, vlerësoi se zhvillimet në këtë drejtim nuk po ecin në një situatë më të favorshme, ndërsa nënvizoi se pranimi i realitetit të Kosovës është i rëndësishëm për perspektivën e paqes dhe stabilitetit në rajon. Deklarata e Ramës u bë në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, ku çështjet e sigurisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe marrëdhënieve ndërmjet vendeve janë pjesë e diskutimeve.

Kontrolloni gjithashtu

Mbi 8.4 miliardë euro vlerë metalesh në mbetjet industriale të Trepçës

Mbetjet industriale të Trepçës, të grumbulluara ndër dekada në deponi nëpër Kosovë, përmbajnë metale me …