Me 79 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e PDK-së që ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të përfshihen në rendin e ditës së seancës së sotme. Kjo pikë është renditur e 11-ta. Gjatë paraqitjes së mocionit procedural, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka falënderuar 90 deputetët që më herët votuan për miratimin e këtij ligji. Ajo e cilësoi atë votim si dëshmi të unitetit dhe pjekurisë politike e kombëtare. Çitaku rikujtoi se pas miratimit të ligjit në dy lexime, PDK-ja kishte kërkuar kthimin e tij në Kuvend, me arsyetimin se ishin marrë këshilla dhe rekomandime për ta bërë atë më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm juridikisht. Sipas saj, pas diskutimeve me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupeve të tjera parlamentare, është arritur pajtim për përmbajtjen e ndryshimeve, ndonëse ka pasur mospajtime lidhur me procedurën e ndjekur. Me votimin e sotëm, Kuvendi ka vendosur që propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit të shqyrtohet si pikë e veçantë e rendit të ditës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
