Enver Hoxhaj në forumin strategjik në Kurdistan: Kosova model i shtetndërtimit me mbështetjen amerikane dhe evropiane

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka prezantuar përvojën e Kosovës në procesin e shtetndërtimit në kuadër të Forumit Strategjik të Slemanit, të organizuar nga Qeveria e Rajonit të Kurdistanit të Irakut. Gjatë fjalës së tij, Hoxhaj ka vënë në pah rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, duke e cilësuar atë si model të shtetndërtimit me mbështetje ndërkombëtare. “Kosova është model i shtetndërtimit me mbështetje amerikane dhe evropiane”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook, ku ka publikuar edhe një pjesë të fjalimit të tij. Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve me vendet fqinje dhe të bashkëpunimit rajonal, duke vlerësuar se politika e jashtme duhet të nisë nga fqinjësia, ndërsa bashkëpunimi ekonomik rajonal është domosdoshmëri. Në margjinat e forumit, Hoxhaj ka zhvilluar takime edhe me ish-kryeministrin bullgar Kiril Petkov dhe ish-zëvendëskryeministrin e ish-ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ali Babacan. Pjesëmarrja në këtë forum vjen pas angazhimeve të tij në Konferencën e Sigurisë në Berlin dhe në Samitin e Aleancës Ndërparlamentare për Kinën në Hagë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi miraton mocionin e PDK-së, ndryshimet në Ligjin për Specialen në rend dite

Me 79 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e PDK-së që ndryshimet dhe …