Kosova pritet të importojë gjatë vitit 2026 mallra nga Kina në vlerë prej rreth 1.1 miliard eurosh, duke shënuar rekord historik, ndërkohë që ky shtet vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. Shifrat e publikuara nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) nxjerrin në pah varësinë e theksuar të tregut kosovar nga produktet e huaja dhe dështimin për të ndërtuar një ekonomi të mbështetur në prodhimin vendor.
Sipas projeksionit të AKB-së, importet nga Kina pritet të arrijnë mesatarisht rreth 3 milionë euro në ditë, 92 milionë euro në muaj dhe 1.1 miliard euro brenda vitit. Këto shifra dëshmojnë përmasat e depërtimit të produkteve kineze në tregun e Kosovës, ndërsa eksportet kosovare drejt këtij shteti mbeten pothuajse të papërfillshme. Paradoksi bëhet edhe më i theksuar kur merret parasysh fakti se Kina nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe vazhdon të mbajë qëndrim kundërshtues ndaj subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Megjithatë, tregu kosovar vazhdon të jetë një konsumator i rëndësishëm i produkteve kineze, pa arritur të krijojë një raport të baraspeshuar tregtar. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka sqaruar se këto të dhëna nuk përbëjnë thirrje për bojkot të produkteve kineze, por një alarm për gjendjen dhe orientimin e ekonomisë së Kosovës. Sipas tij, vendi duhet të ndryshojë qasjen ekonomike, duke investuar më shumë në prodhimin vendor, hapjen e vendeve të punës, rritjen e eksporteve dhe fuqizimin e bizneseve vendore për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, një problem i tillë nuk mund të zgjidhet vetëm përmes deklaratave për rëndësinë e prodhimit vendor. Rekordi i importeve ngre pikëpyetje serioze për politikat ekonomike, mbështetjen institucionale ndaj prodhuesve, klimën e investimeve dhe mungesën e kapaciteteve prodhuese që do t’i mundësonin Kosovës të zvogëlonte varësinë nga tregjet e huaja. Kosova nuk mund të pretendojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përderisa vazhdon të shpenzojë miliarda euro për produkte të importuara, ndërsa potenciali i prodhimit dhe eksportit vendor mbetet i kufizuar. AKB vlerëson se këto të dhëna duhet të nxisin debat publik dhe institucional për orientimin e politikave ekonomike e tregtare, në mënyrë që Kosova të mos mbetet vetëm treg konsumi për ekonomitë e huaja, por të ndërtojë një ekonomi prodhuese dhe konkurruese.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
