Veprimtari i çështjes kombëtare, Mehmet Bislimi, ka rikthyer në vëmendje një qëndrim publik të bërë më 11 qershor 2015, kur kishte kërkuar nga Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së që emri i tij të largohej nga lista e veteranëve. Bislimi, i cili në listën e publikuar në atë kohë figuroi me numrin rendor 66, kishte shprehur pakënaqësinë e tij për mënyrën e përpilimit të listave, duke kundërshtuar, siç kishte theksuar, barazimin e atyre që kishin kontribuar dhe ishin sakrifikuar për lirinë me persona që, sipas tij, e kishin penguar, sabotuar apo mohuar luftën çlirimtare. Në reagimin e tij të vitit 2015 dërguar në Radion Kosova e Lirë, ai kishte theksuar se angazhimin për lirinë e atdheut e konsideronte obligim moral e kombëtar dhe se nuk dëshironte të përfitonte privilegje nga ky kontribut. “Unë ndihem përjetësisht borxhli ndaj atdheut – atdheu nuk më ka asnjë borxh mua!”, kishte shkruar Bislimi, duke kërkuar publikisht tërheqjen e emrit të tij nga lista dhe duke theksuar se veten e konsideronte vetëm luftëtar të lirisë. Në një shënim të ri, të datës 15 nëntor 2026, të publikuar nga Zvicra, Bislimi ka ritheksuar se vendimi i tij mbetet i pandryshuar, pavarësisht se në listën aktuale emri i tij figuron me numrin rendor 245, ndryshe nga numri 66 që kishte në listën e vitit 2015. Me këtë rast, ai ka bërë të ditur se kërkesa e tij për largimin nga lista është vullnetare dhe se qëndrimi i shprehur para më shumë se një dekade vazhdon të jetë i njëjtë. Qëndrimi i Mehmet Bislimit e rikthen në diskutim çështjen e kritereve të verifikimit të veteranëve dhe dallimin ndërmjet kontributit për lirinë, sakrificës dhe përfitimeve që burojnë nga njohja e statusit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
