Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi, edhe pas 11 vjetësh, qëndron pas vendimit për të hequr dorë vullnetarisht nga statusi i veteranit të UÇK-së

Veprimtari i çështjes kombëtare, Mehmet Bislimi, ka rikthyer në vëmendje një qëndrim publik të bërë më 11 qershor 2015, kur kishte kërkuar nga Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së që emri i tij të largohej nga lista e veteranëve. Bislimi, i cili në listën e publikuar në atë kohë figuroi me numrin rendor 66, kishte shprehur pakënaqësinë e tij për mënyrën e përpilimit të listave, duke kundërshtuar, siç kishte theksuar, barazimin e atyre që kishin kontribuar dhe ishin sakrifikuar për lirinë me persona që, sipas tij, e kishin penguar, sabotuar apo mohuar luftën çlirimtare. Në reagimin e tij të vitit 2015 dërguar në Radion Kosova e Lirë, ai kishte theksuar se angazhimin për lirinë e atdheut e konsideronte obligim moral e kombëtar dhe se nuk dëshironte të përfitonte privilegje nga ky kontribut. “Unë ndihem përjetësisht borxhli ndaj atdheut – atdheu nuk më ka asnjë borxh mua!”, kishte shkruar Bislimi, duke kërkuar publikisht tërheqjen e emrit të tij nga lista dhe duke theksuar se veten e konsideronte vetëm luftëtar të lirisë. Në një shënim të ri, të datës 15 nëntor 2026, të publikuar nga Zvicra, Bislimi ka ritheksuar se vendimi i tij mbetet i pandryshuar, pavarësisht se në listën aktuale emri i tij figuron me numrin rendor 245, ndryshe nga numri 66 që kishte në listën e vitit 2015. Me këtë rast, ai ka bërë të ditur se kërkesa e tij për largimin nga lista është vullnetare dhe se qëndrimi i shprehur para më shumë se një dekade vazhdon të jetë i njëjtë. Qëndrimi i Mehmet Bislimit e rikthen në diskutim çështjen e kritereve të verifikimit të veteranëve dhe dallimin ndërmjet kontributit për lirinë, sakrificës dhe përfitimeve që burojnë nga njohja e statusit.

Kontrolloni gjithashtu

René Trocaz: BE-ja u vonua me Ballkanin, rrezikohet besueshmëria e perspektivës europiane

Bashkimi Europian është vonuar në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe zvarritja e mëtejshme …