Bashkimi Europian është vonuar në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe zvarritja e mëtejshme e zgjerimit rrezikon të dëmtojë besueshmërinë e perspektivës europiane për vendet e rajonit. Kështu ka deklaruar i dërguari i posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, René Trocaz, duke pranuar se pritja prej më shumë se dy dekadash ka krijuar zhgënjim të arsyeshëm në shoqëritë e vendeve që synojnë anëtarësimin në BE. Në një intervistë për gazetën greke “To Vima”, gjatë qëndrimit në Athinë, Trocaz ka folur për zhvillimet politike në rajon, sfidat institucionale, luftën kundër korrupsionit dhe nevojën që Bashkimi Europian ta bëjë më konkrete perspektivën e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai ka vlerësuar se zhvillimet në rajon po ndiqen me optimizëm të kujdesshëm, duke veçuar ndryshimet politike në Serbi dhe përparimin e Malit të Zi në procesin e integrimit, për të cilin ka thënë se anëtarësimi në BE në vitin 2028 nuk përjashtohet. Megjithatë, diplomati francez ka theksuar se përparimi i vendeve të Ballkanit nuk mund të mbetet peng i një pritjeje të pafundme, pasi kjo do të vinte në pikëpyetje seriozitetin e angazhimit europian ndaj rajonit. “Zgjidhja e këtyre problemeve nuk duhet të zvarritet, për shkak të besueshmërisë së Bashkimit Europian”, ka deklaruar Trocaz, duke nënvizuar se BE-ja duhet të ndryshojë qasjen ndaj vendeve të rajonit dhe të komunikojë me qytetarët përmes objektivave konkrete, e jo vetëm me gjuhë teknokratike dhe kritere institucionale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
