“Europa u vonua shumë. Ky është gabimi i saj”, deklaron diplomati francez

Duke iu referuar protestave në Serbi, i dërguari i posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, René Trocaz ka vënë në dukje se kërkesat e qytetarëve për luftimin e korrupsionit kanë qenë në qendër të mobilizimit, duke e krahasuar natyrën e tyre me lëvizjet e Pranverës Arabe. I dërguari francez ka kujtuar se në vitin 2003, në Samitin e Selanikut, vendeve të Ballkanit Perëndimor iu dha perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por ka theksuar se pritja e tejzgjatur ka cenuar besimin e qytetarëve në këtë proces. “Zhgënjimi i këtyre shoqërive është i justifikuar. Kanë kaluar shumë vite, shumë më tepër sesa iu desh çdo vendi apo rajoni tjetër për t’u integruar në BE”, ka deklaruar ai. Duke argumentuar se zgjerimi i Ballkanit Perëndimor është i realizueshëm edhe nga pikëpamja ekonomike dhe demografike, Trocaz ka krahasuar madhësinë e rajonit me Sllovakinë dhe Holandën, ndërsa ka rikujtuar se zgjerimi i vitit 2004 përfshiu shtete me dallime të konsiderueshme ekonomike dhe demografike. Sipas tij, pengesa më e ndërlikuar mbetet trashëgimia e luftërave në ish-Jugosllavi, e cila, edhe pas tri dekadash, vazhdon të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet vendeve të rajonit.  “Europa u vonua shumë. Ky është gabimi i saj”, ka deklaruar diplomati francez, duke shtuar se tashmë është përgjegjësi e Bashkimit Europian t’i ndihmojë vendet e rajonit të realizojnë reformat e nevojshme për t’iu afruar standardeve europiane.

Kontrolloni gjithashtu

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka gjetur parregullsi në rastin e Arlinda Zekajt

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka gjetur parregullsi në rastin e …