Daut Haradinaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për gjendjen në sektorin energjetik, pas vendimit për ndalimin e blerjes së energjisë elektrike nga Serbia, duke ngritur dyshime për mënyrën se si është menaxhuar furnizimi me rrymë dhe duke kërkuar sqarime për importet e deritanishme. Në reagimin e tij, Haradinaj ka thënë se ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli, po paraqitet si përgjegjëse për krizën, ndonëse, sipas tij, përgjegjësia qëndron te drejtuesit politikë që marrin vendimet. Ai ka përmendur edhe Dejona Mihalin, duke iu referuar asaj si një prej personave që, sipas tij, thërret drejtorët për t’u dhënë udhëzime.Haradinaj ka pretenduar se gati një e treta e Kosovës është në terr, ndërsa faturat e energjisë elektrike po trefishohen dhe qytetarët po paguajnë për blerjen e rrymës. “Tash, pasi s’po blejmë më rrymë nga Serbia, po e lus ministren të na tregojë a kanë blerë deri tash? Unë nuk mendoj se ministrja Rizvanolli ka faj për këtë krizë e krim. Asaj po i përgatitet terreni për ta bërë viktimë, kinse kjo ka dështuar. Përgjegjës janë ata që thërrasin drejtorë me kapelë”, ka shkruar ai. Ai ka ngritur gjithashtu çështjen e qymyrit, duke pretenduar se Maqedonia e Veriut e merr atë falas nga Kosova.
Në pjesën tjetër të reagimit, Haradinaj ka kritikuar atë që e ka cilësuar si mospërputhje ndërmjet retorikës patriotike të pushtetit dhe problemeve konkrete me të cilat po përballen qytetarët.
“Neve na flasin për patriotizëm pas një kënge serbe në Bruksel. Ministrja nuk ka pikë faj… Fajin e ka shefi”, ka përfunduar Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
