Eurodeputeti estonez, Riho Terras, ka reaguar ndaj interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj Kosova, Kosova” në mbrëmjen hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, më 15 nëntor në Bruksel, duke e cilësuar incidentin si të papranueshëm dhe duke kërkuar përgjegjësi nga organizatorët dhe institucionet evropiane. Në reagimin e tij, Terras ka vënë në pikëpyetje nëse përzgjedhja e kësaj kënge ishte një provokim i qëllimshëm apo rezultat i injorancës, duke theksuar se interpretimi i një kënge që përmban pretendime nacionaliste serbe ndaj Kosovës në një aktivitet zyrtar të BE-së për zgjerimin është gafë e rëndë institucionale. “Ose një provokim i qëllimshëm, ose injorancë e pastër. Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe, e cila shpreh pretendime ndaj Kosovës, në një aktivitet për zgjerimin e BE-së, është një gafë jashtëzakonisht e papërshtatshme dhe pa shije. Komisioni Evropian dhe Marta Kos i detyrohen Kosovës një shpjegim!”, ka shkruar Terras. Reagimi i eurodeputetit e zhvendos çështjen përtej një përzgjedhjeje të gabuar muzikore, duke ngritur pikëpyetje për përgjegjësinë e organizatorëve dhe mekanizmat e kontrollit të përmbajtjes së një aktiviteti që zhvillohet nën ombrellën e institucioneve të Bashkimit Evropian. Gjatë programit muzikor, të paraparë për prezantimin e kulturave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor dhe grupi slloven “Kapobanda” interpretuan muzikën e këngës “Oj Kosova, Kosova” në pjesën e dedikuar Kosovës. Kjo këngë shoqërohet me përmbajtje nacionaliste serbe dhe pretendime territoriale ndaj shtetit të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
