Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi, ka paralajmëruar protesta në rast se Projektligji për Gjykatën Speciale nuk merr mbështetjen e nevojshme në Kuvendin e Kosovës. Ai ka deklaruar se pret që projektligji të miratohet me votat e pozitës dhe opozitës, duke kërkuar që partitë politike të mos tërhiqen nga qëndrimet e tyre të mëparshme. Qeriqi ka bërë të qartë se çdo ndryshim i qëndrimit të partive politike dhe mungesa e votave për miratimin e projektligjit do të pasohen me protesta. “Ne presim që ky ligj të kalojë në Kuvend me votat e mjaftueshme, sepse edhe kur kaloi herën e parë, i mori votat e pozitës dhe opozitës. Nëse dikush e ndryshon qëndrimin, do të ketë protesta. Për neve është me rëndësi që ky ligj të kalojë dhe, nëse partia në pushtet apo kushdo tjetër nuk e voton, normalisht do të ketë protesta”, ka deklaruar Xhevdet Qeriqi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
