Pas më shumë se dy vjetësh pa kontrata aktive lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova ka angazhuar sërish një kompani amerikane për përfaqësimin e interesave të saj në Uashington. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka nënshkruar marrëveshje njëvjeçare me kompaninë Ballard Partners, në vlerë prej 600 mijë dollarësh.
Sipas dokumenteve të regjistruara në Departamentin amerikan të Drejtësisë, në kuadër të Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA), kontrata është dorëzuar më 13 nëntor dhe ka hyrë në fuqi më 15 nëntor 2026. Marrëveshja parasheh pagesë mujore prej 50 mijë dollarësh, ndërsa pagesat do të realizohen në këste tremujore prej 150 mijë dollarësh. Shpenzimet shtesë për udhëtime dhe përfaqësim do të mbulohen veçmas, me kusht që të miratohen paraprakisht nga MPJD-ja. Kontrata është nënshkruar nga ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe presidenti i kompanisë, Brian Ballard. Sipas dokumentacionit, Ballard Partners do të ofrojë këshillim strategjik, përfaqësim pranë institucioneve federale amerikane, përgatitje dhe shpërndarje të materialeve informuese, si dhe do të shqyrtojë mundësi të reja të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Megjithatë, në marrëveshje nuk janë përcaktuar objektiva konkrete politike për të cilat do të angazhohet kompania. Kjo kompani ishte angazhuar nga Presidenca e Kosovës edhe në vitin 2017, gjatë kohës kur Hashim Thaçi ishte president. Kontratat kishin përfunduar në qershor të vitit 2024 dhe nuk ishin vazhduar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
