Xhavit Jashari: Haga po godet UÇK-në përmes Thaçit, institucionet e Kosovës të mos heshtin, por të organizojnë mbrojtjen në Apel

Xhavit Jashari, përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e ka cilësuar politik dhe të njëanshëm aktgjykimin e fundit të Gjykatës Speciale ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke vlerësuar se ky proces po përdoret për të goditur jo vetëm individët, por edhe luftën çlirimtare, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe vetë shtetësinë e Kosovës. Jashari ka rikthyer kundërshtimin e organizatave të dala nga lufta ndaj themelimit të Gjykatës Speciale, duke kujtuar protestat dhe paralajmërimet e tyre para Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, zhvillimet e fundit po dëshmojnë se shqetësimet e ngritura që në fillim nuk ishin të pabazuara.
Ai ka vënë në pah edhe simbolikën e datës 17 nëntor, kur u shpall aktgjykimi ndaj Thaçit, duke e ndërlidhur atë me 17 nëntorin e vitit 1994, të cilin e cilësoi si datë të bashkimit të grupeve ilegale dhe të përcaktimit që lufta për çlirimin e Kosovës të zhvillohej nën emblemën e UÇK-së.
Jashari e ka cilësuar si paradoksale që pikërisht në këtë datë të dënohet njëri prej themeluesve të UÇK-së, ndërsa edhe kohëzgjatja e dënimit prej 17 muajsh, sipas tij, ngre pikëpyetje për simbolikën e këtij vendimi.
“Pikërisht ky vendim në këtë datë nuk është pa qëllim, ku u dënua njëri prej themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, dhe 17-shi i fundit me 17 muaj dënim”, ka deklaruar Jashari.
Ai ka kritikuar edhe mungesën e një reagimi të bashkërenduar institucional, duke kërkuar që institucionet e Kosovës të mos e trajtojnë këtë çështje si përgjegjësi individuale të të akuzuarve, por si një proces me pasoja për historinë dhe të vërtetën e luftës çlirimtare.
Jashari ka kërkuar unitet politik dhe institucional, si dhe formimin e një grupi të përbërë nga ekspertë juridikë, të cilët do të angazhoheshin në përgatitjen dhe vazhdimin e mbrojtjes në Gjykatën e Apelit. Sipas tij, mbrojtja në këtë fazë kërkon përkushtim dhe angazhim serioz të të gjitha institucioneve të vendit.
Ndryshe, më 17 nëntor, Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën aktgjykimin në rastin që lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë. Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu me nga 12 muaj, ndërsa Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht. Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.

Kontrolloni gjithashtu

REL: Kompanitë e lobimit të Kosovës deklaruan pak kontakte në SHBA, Serbia vazhdon angazhimin në Uashington

Të dhënat e regjistrit amerikan FARA tregojnë se nga korriku 2023 deri në janar 2024, …