Deputeti belg, Michel De Maegd, ka kërkuar shpjegime nga komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me interpretimin e një kënge nacionaliste serbe gjatë koncertit zyrtar të hapjes së Forumit për Zgjerim të Bashkimit Evropian në Bruksel. Ai ka ngritur edhe çështjen e përgjegjësisë së organizatorëve dhe të një kërkimfaljeje zyrtare ndaj Kosovës.
De Maegd e ka konsideruar veçanërisht të papranueshme praninë e një kënge që, sipas tij, përmban mesazhe të lidhura me pretendimet territoriale serbe ndaj Kosovës, në një aktivitet zyrtar evropian, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të BE-së.
Reagimi i deputetit belg merr peshë edhe nga përvoja e tij gjatë luftës në Kosovë. Në vitin 1999, ai kishte qëndruar për tre muaj në vend si reporter lufte, duke dokumentuar dhunën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, bombardimet, spastrimin etnik dhe pasojat e dëbimit masiv të popullsisë shqiptare.Në reagimin e tij publik, De Maegd ka rikujtuar se përjetimet e asaj kohe nuk mund të shkëputen nga simbolika e një kënge të tillë, sidomos kur ajo interpretohet në një organizim që përfaqëson institucionet evropiane.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
