Kthimi i Bacit Jakup do të ishte i plotë vetëm po t’i mundësohej të qëndronte pranë familjes deri në përfundimin e procesit të apelit

Ardhja e Jakup Krasniqit në Kosovë u shoqërua me një përcjellje të madhe të forcave policore, pamje që e bënë edhe më të rëndë emocionalisht këtë moment. Në anën tjetër, arsyeja njerëzore që e bën këtë kthim edhe më të ndjeshëm është gjendja e rënduar shëndetësore e bashkëshortes së tij, e cila ka nevojë për praninë dhe përkujdesjen e tij. Në rrethana të tilla, mundësia që ai të qëndronte pranë familjes deri në përfundimin e procedurave të apelit do të kishte një domethënie të veçantë njerëzore. Ardhja e Bacit Jakup do të duhej të ndodhte më 16 shtator, ashtu siç ishte pritur dhe shpresuar. Por, mbi të gjitha, një njeri që një pjesë të madhe të jetës ia ka kushtuar gjuhës, kombit, atdheut dhe shtetit, nuk do të duhej të përballej me një arrestim të tillë, pa marrë parasysh se cilat janë procedurat dhe rrjedha e procesit gjyqësor. Ardhja e sotme do të mund të konsiderohej vërtet kthim në shtëpi, nëse Bacit Jakup do t’i jepej mundësia të qëndronte pranë familjes, në ngrohtësinë e shtëpisë së tij, deri në përfundimin e procesit të apelit. Sepse, përtej dimensionit juridik, ekziston edhe dimensioni njerëzor, moral dhe kombëtar. Drejtësia duhet të jetë e paanshme, por edhe njerëzore; procedurat duhet të respektohen, por dinjiteti i njeriut nuk duhet të harrohet. Askush nuk duhet të paragjykohet para një vendimi përfundimtar, ndërsa çdo njeri ka të drejtë të trajtohet me dinjitet dhe respekt. Një familje që pret, një shtëpi që ka nevojë për praninë e tij dhe një njeri që ka dhënë vite të jetës për çështje që i konsideronte të shenjta, meritojnë të paktën mirëkuptim, dhembshuri dhe respekt njerëzor. Atdheu nuk matet vetëm me fjalë, por edhe me mënyrën se si i trajton njerëzit e vet, sidomos në momentet më të vështira të jetës së tyre. Historia, kontributi dhe dinjiteti njerëzor nuk duhet të fshihen pas procedurave, por të mbeten pjesë e vlerësimit të drejtë dhe të paanshëm. Baci Jakup nuk kishte nevojë për një ardhje të tillë, por për një kthim me dinjitet, në shtëpinë e tij, pranë familjes. Sepse drejtësia që harron dimensionin njerëzor rrezikon të lërë pas plagë që asnjë vendim nuk mund t’i shërojë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Qeriqi: Kushtetuesja duhet të vendosë për veteranët brenda 9 ditësh

Xhevdet Qeriqi paralajmëron protesta: Nëse partitë nuk e votojnë Projektligjin për Gjykatën Speciale, do të ketë reagim në rrugë

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi, ka paralajmëruar protesta në rast se Projektligji …