PDK dhe VV pajtohen për Ligjin e ri për Specialen, votimi shtyhet për javën e ardhshme

Ndërsa zvarritja e çështjes vazhdon nga dita në ditë, PDK-ja dhe Vetëvendosja arrijnë marrëveshje për procedimin e një ligji të ri për Dhomat e Specializuara.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë arritur pajtueshmëri për procedimin e një Ligji të ri për Dhomat e Specializuara, votimi i të cilit pritet të bëhet javën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka bërë të ditur se mes dy subjekteve politike nuk ka dallime sa i përket përmbajtjes së ligjit, por vetëm procedurës.

“Javën e ardhshme do të procedohet Ligji i ri për Dhomat e Specializuara. Është shumë e rëndësishme të saktësoj se me LVV-në s’kemi asnjë dallim në përmbajtje. Dallimi që nga dita e parë ka qenë në procedurë”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka theksuar se për çështjen e mbrojtjes së vlerave të luftës ekziston unitet mes PDK-së dhe Vetëvendosjes.

Megjithatë, derisa partitë politike po gjejnë gjuhë të përbashkët për procedurat dhe përmbajtjen e ligjit, çështja vazhdon të mbetet pezull, ndërsa çdo ditë e humbur e shton pasigurinë për një proces që kërkon përgjegjësi institucionale dhe vendimmarrje të qartë.

Marrëveshja politike është arritur, por mbetet të shihet nëse javën e ardhshme Kuvendi do ta shndërrojë këtë pajtim në vendim konkret, apo zvarritja do të vazhdojë edhe më tej.

Kontrolloni gjithashtu

Rrahman Rama: Dorëheqja e Bedri Hamzës nuk lidhet me Ligjin për Specialen, ishte paralajmëruar më herët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrahman Rama, ka hedhur poshtë pretendimet se dorëheqja e …