Vendimi i dytë i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, me të cilin më 17 nëntor u dënua me 17 muaj burgim për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë, ka rihapur një debat të ndjeshëm politik dhe institucional në Kosovë. Përtej aktgjykimit konkret, ky vendim ka thelluar përplasjet ndërmjet partive politike, ka nxitur reagime të organizatave të dala nga lufta dhe ka rikthyer në vëmendje raportin e Kosovës me Gjykatën Speciale. Ky zhvillim vjen vetëm dy muaj pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte. Dy vendimet, ndonëse kanë të bëjnë me procese dhe akuza të ndryshme, kanë krijuar një klimë të re pakënaqësie dhe polarizimi në skenën politike kosovare. Më shqetësues në këtë situatë është fakti se, përballë një çështjeje me peshë të jashtëzakonshme historike dhe politike, institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të paraqesin një qëndrim të unifikuar dhe një strategji të qartë veprimi. Ndërsa partitë politike vazhdojnë shkëmbimin e akuzave, përgjegjësia institucionale për mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe për trajtimin e pasojave të këtyre proceseve mbetet e domosdoshme. Megjithatë, ndikimi i këtyre vendimeve nuk kufizohet vetëm në raportet ndërmjet partive politike. Ekziston rreziku që pakënaqësia ndaj Gjykatës Speciale të shndërrohet në mosbesim më të gjerë ndaj drejtësisë ndërkombëtare, veçanërisht nëse qytetarët krijojnë bindjen se proceset gjyqësore nuk po e ndajnë sa duhet përgjegjësinë individuale nga e vërteta historike e luftës çlirimtare të Kosovës. Rreziku më i madh politik mbetet instrumentalizimi i këtyre vendimeve për interesa partiake. Nëse partitë vazhdojnë ta përdorin çështjen e Hagës si mjet për akuza të ndërsjella, uniteti i dëshmuar në Kuvend rrezikon të zbehet, ndërsa çështja e mbrojtjes së luftës së UÇK-së mund të mbetet peng i kalkulimeve politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
