Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, ka rikujtuar sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përgjegjësinë për ruajtjen dhe forcimin e shtetit, duke theksuar se liria e Kosovës është rezultat i një përpjekjeje të madhe dhe sakrifice të përbashkët. Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka shpërndarë një deklaratë të ish-komandantit suprem të NATO-s, Wesley Clark, për UÇK-në, sipas së cilës krijimi i një shteti të ri kërkon gatishmëri për të luftuar dhe për të dhënë jetën për të. “Nuk mund të krijosh një shtet të ri, nëse nuk je gati të luftosh dhe të vdesësh për të”, është citati i Wesley Clark që Mustafa e ka veçuar në reagimin e tij. Ai ka vlerësuar se këto fjalë përfaqësojnë sakrificën e UÇK-së dhe çmimin e lirisë së Kosovës, duke theksuar se përgjegjësia për shtetin nuk përfundon me arritjen e lirisë. “Shteti nuk është dhuratë, është detyrim i përbashkët”, ka shkruar Mustafa, duke shtuar se liria e fituar me mund e vendosmëri kërkon sot përgjegjësi, unitet dhe angazhim të përditshëm për mbrojtjen dhe forcimin e shtetit. Në përfundim, ai ka theksuar se e ardhmja e Kosovës duhet të ndërtohet duke mos harruar sakrificën dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar shtetësia e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
