PDK-ja dhe VV-ja paralajmërojnë procedimin e ligjit për Specialen, por zvarritja vazhdon

Udhëheqësit e institucioneve dhe përfaqësuesit e partive politike po paralajmërojnë se brenda kësaj jave do të procedohet nisma e re ligjore për Dhomat e Specializuara në Hagë, por pas disa shtyrjeve dhe mospajtimeve, ende nuk ka një afat të sigurt për përfundimin e saj dhe kalimin në Kuvend.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës dhe nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se ekspertët janë duke i përfunduar ndërhyrjet e fundit në draftin e ri, i cili, sipas saj, pritet të pranohet gjatë ditës së sotme.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Çitaku ka deklaruar se nisma do të procedohet brenda javës, duke pretenduar se ajo gëzon unitetin politik dhe qytetar dhe se nuk është vetëm nismë e PDK-së, por ka edhe vulën e institucioneve të Kosovës.

Megjithatë, deklaratat për procedim të shpejtë vijnë pas shtyrjes së seancës së Kuvendit, ku kjo nismë ishte paraparë të shqyrtohej, për shkak të nevojës për dakordim ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për përmbajtjen e draftit të ri.

Çitaku ka thënë se PDK-ja do të jetë e hapur për diskutime në komisionet përkatëse parlamentare, ndërsa synimi, sipas saj, është që ligji të kalojë sa më shpejt në të dy leximet. Ajo ka theksuar se kjo nismë përbën vetëm njërin nga elementet që do të përdoren në betejën e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Edhe kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se është në pritje të përfundimit të draftit nga ekspertët, duke deklaruar se puna pritet të mbyllet gjatë kësaj jave. Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar po ashtu procedimin e nismës së re ligjore për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Pavarësisht deklaratave të përsëritura për urgjencë dhe përkushtim, procesi po shoqërohet me shtyrje, dakordime të vonuara dhe pritje të vazhdueshme për përfundimin e draftit. Kështu, një çështje që lidhet me një betejë të rëndësishme juridike dhe politike për ish-krerët e UÇK-së, ende mbetet në fazën e paralajmërimeve, ndërsa institucionet nuk kanë dhënë ende një rezultat konkret.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ia ka vazhduar masën e paraburgimit, Jakup Krasniqit

Liron Pepshi ngre shqetësime për shëndetin e Jakup Krasniqit: Burgimi i mëtejshëm mund ta rrezikojë atë

Psikiatri Liron Pepshi ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen emocionale dhe shëndetësore të ish-kryetarit të …