Sali Onuzi: DËSHMORËT E QARKUT TË KUKËSIT DHE ATO TË BRAHAJVE SI NJË PREJ SIMBOLEVE TË TYRE.

Kumtese ne sesionin jubilar te Organizates Kombetare per Deshmoret e Atdheut.21.11.2026
Libri “Dëshmorët e Atdheut” ,botim i Ministrisë së Mbrojtjes më 2012,qarku i Kukësit ( Lumë, Has, Tropojë, Gorë,Malzi) ka të regjistruar 863 dëshmorë në të gjitha luftërat për Liri, Pavarësi Kombëtare e Çlirim, etj. Me poshtë po ndalemi në disa nga figurat e tyre më përfaqësuese e më simbolike, siç do të bëhet përpjekje këtu.
Numërin e tyre më të madh e zënë Dëshmorët e Atdheut të rënë para Luftës së Dytë Botërore :532 veta, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare: 210 dhe 121 pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Pra i bie që deri në prag të LII B dëshmorët e rënë në atë përiudhë zënë 61.6 përqind , një raport që nuk e ka asnjë qark tjetër në Shqipëri si në përqindje ashtu dhe në sasi.
Megjithatë duhet thënë se në këtë periudhë nga Lidhja shqiptare e Prizrenit e deri me 7 prill 1939, të rënët në luftë nga ky qark janë dukshëm më shumë.Mjaft të thuhet e të shkruhet se ata që janë vrarë me 1912-1913 nga pushtuesit serbë janë me mijra dhe, edhe sot , të pashpallur dëshmorë të Atdheut.Vetëm në masakrën e tetorit 1913 ushtria pushtuese serbe masakroi barbarisht në Lumë 1718 gra, pleq e femijë dhe dogji 28 fshatra.Këto nuk janë të dhëna gojore të sotme.Sotir Kolea i kish marrë nga një anëtar i komisionit ndërkombëtar Carnegjie dhe i ka botuar ato në gazetën Corriere delle Puglia që në dhjetor 1913
.Masakra e Armitsarit në Indi që bënë ushtarët britanikë ka pak më shumë se 300 të masakruar, por ajo shkruhet në të gjitha tekstet shkollore të Botës si dëshmi e kolonializmit. Po Luma, me 6 herë më shumë, a nuk meriton të njihet si vend martir ,dhe të njihet gjërësisht për të stigmatizuar një armik shekullor e mijëvjeçar kundër të cilit populli ynë ka krijuar e ka vënë figurën legjendare të Gjergj Elez Alisë me vargjet brilante “ Më ke lyp motrën para se mejdanin.”
Në këtë hapsirë kohe Qarku i Kukësit ka pasur dëshmorë që jo vetëm kanë zënë vend denjësisht ne historinë shqiptare, por janë nga ata më përfaqësuesit.Banorët e qarkut të Kukësit kujtojnë me krenari emrat e Dëshmorëve të tyre ,figurave të shquara të Historisë sonë kombëtare,Bajram Currin, Hasan Prishtinën dhe Avni Rustemin.Më thellë në histori, mjafton të sjellim në mendje këtu dyshen Mic Sokoli e Ali Ibra nga Malësia e Gjakovës që ranë në Betejën e Shtimje- Slivovës me 1881 për të mbrojtur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, deri aty sa kënga popullore e ka bërë Mic Sokolin simbol të qëndresës shqiptare : “Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola.”Në këtë betejë të lavdishmeku pothuajse te gjithe ishin nga territori i sotem i Qarkut tw Kukwsit, u vranë disa qindra luftëtarë të Lidhjes, së paku mbi 1000 , duke shënuar numrin më të madh të të rënëve shqiptarë në një betejë deri më sot, të kapërcyer vetëm në kohët e Skëndërbeut.Sepse ata vunë gjokset e tyre kundër topave dhe një numëri nja gjashtë herë më të madh të osmanëve.
Në Letaj të Hasit nga familja e madhe e Kurpalëve nga Lidhja shqiptare e Prizrenit e Lufta ANÇ e pas, kanë rënë 9 veta dëshmorë.Kulla e tyre 148 vjecare ,që sot është Muze i klasit të parë,ka pasë 4 breza komandantësh e luftëtarësh,që nga Hazir ,Avdi , Zymer e Bajram Kurpali, ky , Bajrami,dëshmor i gjallë, që u nda nga jeta me 18 plagë lufte në trup.
Mund të ndaleshim më gjatë në dëshmorët edhe të familjeve të tjera të këtij Qarku.Psh në Luftën e dytë Botërore në një ditë ranë duke luftuar me xhandarë kuislingë e gjermane 4 burra e djem të familjes Karakushi në Vlahën të Hasit .Ose familja e Binak Metës në Stobër të Malësisë së Gjakovës,ku ranë 9 veta në janar 1944, prej tyre, tre ,janë shpallur dëshmorë.Mes të vrarëve është edhe vajza e vogël tremuajshe Hatixhe Xhediaj, djepi i së cilës mori nga barbarët 13 plumba. Ose familja Qerreti, me 33 të vrarë me 1915 ( dy familja të zhdukura fare)Familja e Musli Mehmetit ne Zogaj me 3 veta të vrarë në operacioni gjerman në gusht të 1944.
Ose në Lumë familjen Zaskoci,me 3 të rënë, nëna Huma dhe dy djemtë e saj Rexh dhe Ramadan Zaskoci,heroi dhe udhëheqësi i kryengritjeve dhe i betejave të Lumës kundër pushtuesve osmanë dhe serbë.Ai djali ,që në moshën 18 vjecare hapi zjarr i pari me pistoletën e tij kapaklie në mes të Prizrenit te Çarshia dhe ekzekutoi, sipas vendimit të Degës së Lidhjes , telegrafistin e mareshallit osman Mehmet Ali pasha ,që kish ardhur të dorëzonte tokat e Shqipërisë te Mali i Zi. Ramadan Selman Zaskoci,i vrarë në shtator 1914 me urdhër të qeverisë sërbe,mban urdhërin e Lirisë të Klasit të parë, dekorata më e lartë që jepej në shtetin shqiptar nga 1944-1991.Ndonëse politika e asaj kohe nuk e shpalli formalisht”, “Hero të Popullit” ai është realisht Hero i Luftës dhe Hero i popullit shqiptar. Pavarësisht se edhe sot politika nguron t’i vendosë një bust në qytetin e Kukësit, njeriut, emri i të cilit mësohet nga fëmijtë në djepin e nënës e në prehërin e gjyshes.
Ose nga Topojani deshmorët e luftës së vitit 1886-88 që ranë në Preokupje kundër pushtuesve serbë të kohës, si Sahit Gega , Jup Topojani etj për të cilin kënga popullore këndon se sulmonte drejt e në top.Nga Topojani ishin edhe 37 dëshmorët e betejës të Qafë e Duhles në prag të Prizrenit më 1912 ,me bajraktarin e tyre Zaim Hamzën në krye , kundër forcave të ushtrisë pushtuese serbe.
Por nga rreth 85 të vrarë në betejën e famëshme të Lumës në nëntor 1912 kundër forcave pushtuese serbe ,as gjysma e tyre nuk janë shpallur ende dëshmorë të atdheut.
Edhe më 7 prill 1939, Luma ka përfaqesuesin e saj nga 13 dëshmorët që ranë kundër sulmit pushtues fashist Italian, ka Xhamali Manin, që luftoi e ra po atë ditë në skelën e Sarandës.
Qarku i sotëm i Kukësit . që në vitet 1920 e pas emërtohej prefektura e Kosovës,ka marrë pjesë aktive në përkrahjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në rradhët e të cilës kanë luftuar e kanë rënë dëshmorë njëzet djem nga krahina e Malësisë së Gjakovës ,15 nga Hasi. e dy nga Luma.Mund të përmendim këtu me kranari emrin e komandantit në tri luftëra, Tahir Sinanit dhe emrin e Halit Riza Cokës nga Arrni i Lumës , të shpallur Heronjë të Kosovës nga presidenti i saj Hashim Thaçi.
Numëri i grave dhe vajzave dëshmore është relativisht i vogël, 35, prej tyre 22 në periudhën para LII B, 7 në këtë Luftë dhe 4 pas saj. Jo vetëm sepse gratë, fëmijët dhe pleqtë kishin mbrojtje të veçantë kanunore ,dhe në rast lufte ato vendoseshin në zona malore të larta e të sigurta, por edhe sepse , siç thamë, ato që kanë rënë në masakrat e pushtuesve nuk janë shpallur ende deshmorë,sipas kritereve që ka Ligji i shtetit shqiptar sot. Kënga popullore dhe burimet historike flasin për “ burra me pushkë dhe gra me sopatë,”kundër ushtrisë serbe me 1912, kompanitë e togat e së cilës hynin edhe në qendrat e banuara për të djegur e plaçkitur, ku sulmoheshin nga vajzat e gratë si psh në Bicaj e kudo.
Fshati Bicaj ( Canaj) ka qenë qendra historike e krahinës së Lumës deri me 1925. Ky fshat ka të regjistruar 14 dëshmorë të Atdheut.Nuk dihet sa ka të pashpallur si Avdi Sadiki (Gjana).Tre prej dëshmorëve janë Kërxhali, Babë Hasani ( Hero i popullit) e bija , Hava, dhe një pionier nga fisi i tyre, Ismaili.
Po numërin më të madh të dëshmorëve këtu e ka familja Braha.Vetem tri familje kish fisi i tyre në kohën e LNÇ dhe kanë dhënë 6 dëshmorë të atdheut “, 5 në Luftë :Elezin,Merimanin,Lihen,Nuredinin,Sahitin dhe një pas lufte :Hazizin, për të cilët do te ndalemi më tej.
1.Elez Ramadan Braha. (1916-1943) lindi në Bice (Bicaj).Pasi mbaroi në vendlindje shkollën fillore , gjimnazin e kreu në Shkodër ku u njoh dhe u miqësua me Migjenin dhe Qemal Stafën, të cilin e kishte shok klase. Për shkak të lidhjeve me grupin komunist të Shkodrës,e arrestuan dhe e liruan për arsye moshe.Është kjo kohë kur ai shkruan poezi e prozë, dhe boton një studim etnografik.
Më 1938 -1940 mbaron studimet për itendencë ( logjistikë) në Akademinë ushtarake të Modenas ( Itali) dhe shërben si oficer në ushtrinë italiane ,së fundi në Korçë,ku kish vendosur lidhje me lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare. Që në maj 1943 ai kish shkuar në Lumë dhe kish shprehur mendime rreth gjallërimit të Levizjes dhe krijimit të Çetës partizane,( Maket i historikut të LANC në Lumë.)kurse në Korçë kish ndihmuar për ngritjen e Spitalit partizan në Voskopojë.
Me 5 tetor 1943 emrohet nënkomandant i batalionit “ Shqiponja” të Korçës.
Me 14 dhjetor vritet duke luftuar në vijën e parë të zjarrit kundër pushtuesve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre në betejën e Gurit të Kamjes
Enver Hoxha,në fjalën e tij para popullit të Lumës, më 9 shtator 1952 e përmend Elez Brahën të parin nga dëshmorët e Kukësit, bën të njohur detyrën e tij si “ nënkomandant i batalionit ‘”Shqiponja” i rrethit të Korçës “dhe bën edhe vlerësimin: “ që u bë tmerr për armikun “
Elez Braha , “Dëshmor i atdheut”, është edhe një Hero i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.Sepse :
Elez Braha kishte një shkallë të lartë motivimi dhe vetëdijësimi.Që student në vitin e pestë të gjimnazit në hartimin e tij me temë “ kohët ndryshojnë, e vjetra shembet …” shprehet kundër psikologjisë dhe filozofisë fataliste. Elez Braha ka rënë heroikisht ,në vijën e zjarrit , në sulm.,” tek luftonte më këmbë si trim i vërtetë”,shkruante komunikata e LANÇ e Korçës e botuar në Buletinin e gazetes “Bashkimi” ato ditë lufte. Elez Braha ka udhëhequr batalionin” Shqiponja’” me trimëri dhe zgjuarësi,në dy beteja ( 3-4 nëntor dhe 10-14 dhjetor 1943),dhe në të gjitha luftimet e tjera.Ishte ky batalion, ‘“Shqiponja, “ që i kish futur tmerrin armikut” dhe një vlerësim i tillë nga Shtabi i Përgjithshëm ishte bërë vetëm për Brigadën I sulmuese te UNÇSH. Elez Braha është dekoruar me medaljen e Kujtimit, të Trimërisë dhe të Çlirimit. Emrin e Elez Brahës e mban Shtëpia e Kulturës në Bice dhe e kanë mbajtur atë me nder në flamurin e tyre disa Brigada vullnetare të Rinisë në aksionet kombëtare në vitet 1980.
2.MERIMAN JAKUP BRAHA (1921-1944).Kish mbaruar shkollën në Bicaj shkëlqyer .Në gjimnazin e Shkodrës ish bërë antar i grupit komunist,për shkak të veprimtarisë së të cilit më 1937 do të arrestohej e lirohej.Pas mbarimit të shkollës caktohet sekretar i Odës së tregëtisë në Prizren, Më 28 nëntor 1941,Prizreni do të gjëmonte nga demonstrata e fuqishme antifashiste.Meriman Jakupi ishte një nga organizatorët kryesorë të saj. Fashistët e arrestuan për herë të dytë në shkurt 1942 e dënuan dhe e dërguan në burgun politik të Tiranës,ku do të zgjidhej zv/sekretar i organizatës së partisë së burgut dhe bashkë me Ali Demin ( sekretar) do të organizonin dhe hapjen e tunelit nga ku dolën 27 të dënuar. ( që tanimë e njohin të gjithë nga filmi artistik “ Ilegalët”).
Pas kapitullimit të Italisë fashiste, Merimani kthehet në Bicaj. dhe inkuadrohet menjeherë në Çetën e Lumës.E gjithë familja e tij nga i ati, Jemini e deri te vëllai i vogël Shabani, e motra Lihja ,ishin përfshirë në Lëvizje dhe në luftë.
Me Çetën, e më pas me Batalionin e Lumës, Meriman Jakupi është kudo, fshat më fshat, shtëpi më shtëpi, dimër e verë, edhe në Sasatin e Nangëve në Gjallicë, edhe te stani i Bratit, edhe në ahishten e Kolesjanit , po edhe në Prizren e në Bicaj.Bashkëbisedon me njerëzit dhe mban gjallë shpresën e Çlirimit.Çeta kish pritur, strehuar e siguruar nëpër fshatrat e Lumës pjesë të forcave partizane te Dibrës,të Tropojës , të Shkodrës e të Kosovës që kaluan këtu gjatë e pas operacionit të dimrit. Më 14 maj Merimani 1944 do të ish në aksionin që kreu Çeta e Lumës ne bashkëveprim me batalionin “ Bajram Curri “të Tropojës dhe . batalionin “ Perlat Rexhepi” të Shkodrës, te Kulla e Lumës kundër garnizonit gjerman. Populli shikonte qartë se kush lufton pushtuesit dhe kush bënte sehir e bashkëpunonte me të.
Në fillim të korrikut, 1944 Meriman Jakupi (Braha )me një pjesë të batalionit të Lumës është përreth Peshkopisë. Më 8 korrik 300 forca partizane të batalionit të Dibrës, të batalionit II të Brigates Is dhe të batalionit të Lumës sulmojnë kundër forcave të koloboracionistit H. Alia. Kur diskutohej plani operativ me 7 korrik, Meriman Braha, zv/komisar i batalionit të Lumës pyet, diskuton dhe bën vërejtje pse i duket jo aq i mbështetur vendimi , i pasiguruar nga krahët e i nxituar.Po drejtuesit vendosin. Me 8 korrik sulmi fillon dhe dështon. Me datë 8 dhe 9 bien disa drejtues të batalioneve të Dibrës dhe të Brigadës Is. Me datë 10 korrik bie edhe Meriman Jakupi ( Braha), aty në kodrat e Shumbatit, rrëzë Korabit, emrin e të cilit kishte mbajtur si pseudonim në ilegalitet e në Luftë.
Emrin e tij e mban Spitali rajonal i Kukësit dhe vëllai më i vogël që lindi pas vdekjes se tij.Merimani i dytë është gjallë,ish i përndjekur politik i regjimit jugosllav, me një veprimtari të pasur patriotike, si pedagog dhe si shkrimtar e publicist.
3.Lihe Braha (1928-1944,ishte motra e Meriman Brahës.Ajo ishte aktiviste e shquar e Lëvizjes Nacionalçlirimtare me punët për veshjet dhe ushqimin e partizanëve dhe agjitacion për Luftën NÇ, sidomos në mes të të rejave dhe grave te fshatit Canaj. Në moshën 16 vjecare Lihe Braha humbi jetën më 13 tetor 1944 në oborrin e shtëpisë së saj nga predhat e artilerisë gjermane si një objektiv i propozuar nga bashkëpunëtorët e tyre. Për kontributin e saj, një rrugë në fshatin Bicaj mban emrin e saj.Po jeta e saj u bë shëmbull për cucat e Lumës.
4.Sahit Ramadan Braha.(1909-1944) Ra po atë ditë me 13 tetor 1943 nga bombardimi artilerik. U plagos rëndë dhe vdiq në Spitalin partizan .Ai kishte qenë jo vetëm një pjesëmarres i Lëvizjes NÇ, por edhe i njësitit të parë partizan të Lumës dhe Çetës së saj partizane.Ai ishte vëllai i dëshmorit Elez Braha.
5. Nuredin Tahir Braha .(1924-1944)Më 1942 kish qenë anëtar i grupit të të rinjëve komunist të Bicajve, veprimtar i dalluar i Lëvizjes NÇ. Në shtator 1943 do të ishte partizan i Çetës së Lumës , dhe në qershor 1944, i batalionit të saj partizan.Në shtator pranohet anëtar i PKSH. Ka marrë pjesë në të gjitha aksionet e luftimet e këtyre formacioneve.Me 4 tetor 1944 është partizan i Brigadës së 24 s, të Lumës.e cila më 10 -17 nëntor 1944, pjesmarrëse në Luftën për çlirimin e Tiranës. Ishte vendosur ne rajonin nga Domaj te Medreseja, në krah të Brigadës I s.Në luftimin e 13 nëntorit kundër tankeve gjermane ,që sulmonin për të hyrë në Tiranë bie komandanti i kompanisë së tij Vehbi Shehu, bashkëfshatar i tij . Nuredin Braha e merr në shpinë për ta nxjerr nga luftimi,por një breshëri tjetër e qëlloi edhe atë për vdekje.Dy bashkëfshatarë, të dy komunistë ,bien në një luftë të madhe, siç ishte ajo e Tiranës, ku ranë 16 djem nga Luma,e një nga Gora e Kukësit.Emrin e Nuredin Brahës e mban Shkolla 9 vjeçare e Bushtatit të Bicajve.
6.Hazis Fetah Braha.(1933-1949) Ka rënë dëshmor më 1949.Një makinë që po i sillte për të punuar në Kombinat si vullnetar, u përmbys afër Milotit dhe vdiqën 20 djem nga Kukësi, duke krijuar nja gjëmë të madhe e të padëgjuar.Konvikti i nxënësve të Kukësit ka mbajtur e mban emrin ” Njëzet dëshmorët”.
Lavdi Dëshmorëve të Atdheut !
*Historian,Drejtor i Departamentit të Veteranëve të Luftës në Ministrinë e Mbrojtjes (1995-2001)
Bibliografia :
1.Dëshmorët e Atdheut.2012. botim i Ministrisë së Mbrojtjes
2.Sotir Kolea.,artikull i botuar në Corriere delle Puglie. Nr 354.22.12.21913, e ribotuar në shtypin francez, anglez dhe shqiptar.
3. Sali Onuzi, Beteja e Slivovës dhe Shtimjes.20-21.prill 1881.. botuar në gazetën “ Dita” 23.IV.2021.
4.Shtëpia Muze e Kurpalëve në Letaj të Hasit.
5.Shpend Bisheva.Malësia e Gjakovës,treva herioke që i dha kombit qindra dëshmorë ,botuar në “ Dëshmorët në rrënjët e kombit shqiptar”.V.I Botim OKDA. 2021. F.223-226.
6-Dëshmorët në rrënjët e Kombit shqiptar.II. Tiranë 2023. Botim i OKDA.EMAL.f.404-405.
7. Sali Onuzi .Elez Braha deshmor i Atdheut , hero i LANÇ. Academia . edu.
7/1.Arkivi Qëndror i Forcave të Armatosura , Komanda e qarkut Kukës.viti 1944.
7/2.Bashkimi dhe Buletinet e tij(1942-1944) .v.2.Tiranë, 1988.
7./3 Buletinet e “Zërit të Popullit” vëllimi III, Tiranë, 1986
8. Enver Hoxha. Vepra 8.f.31.
9. AQSH, fondi nr 346,Prefektura e Shkodrës, viti 1941, dosja 194 fl.12
10. Sipas kujtimeve të botuara të Rasim Gurit dhe Shaban Brahës
11.Yje të pashuar, vëllimi IV .f.224-226. Botim i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ.
12.Dërguar nga Dritan Halilaj, drejtor i Shkollës “Nuredin Braha” Bushat.
13. Dërguar nga Agim Braha, kryetar i OKDA dega Kukës.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: MUNTAZ DHRAMI, NJERIU QË GDHENDI ME DALTË HISTORINË E SHQIPËRISË (Në 90-vjetorin e lindjes, një homazh për skulptorin që i dha fytyrë kujtesës kombëtare)

Albert Z. ZHOLI: MUNTAZ DHRAMI, NJERIU QË GDHENDI ME DALTË HISTORINË E SHQIPËRISË (Në 90-vjetorin e lindjes, një homazh për skulptorin që i dha fytyrë kujtesës kombëtare)

Ka njerëz që historinë e tregojnë me fjalë, ka të tjerë që e shkruajnë me …