Jakup Krasniqi: Ngjarjet e vitit 1981 në shkrimet e autorëve të huaj

Blerim Muriqi: E SOTMJA, LUFTA DHE LAVDIA E SAJ – JAKUP KRASNIQI

Shekuj të trazuar erdhën dhe u mblodhën në një pikë. Krahina jonë shqiptare, Kosova, në një ditë të bukur qershori të vitit 1999, fitoi lirinë. Po ç’është liria? Kjo pyetje ka trazuar kohët, ka mbërthyer botën, gjokset e njerëzve dhe vazhdon ta mbajë të angazhuar mendjen njerëzore. Ajo, kohë pas kohe, zgjeron kufijtë e saj, njësoj sikur shkencëtarët flasin për kozmosin. Po liria, për moshën e tretë të Jakup Krasniqit, të jetë vallë kaq kërkuese? Ndoshta? Për idealet e tij dhe të brezit që i takon, liria është më e mira që mund të dizajnohet me vijat hyjnizuese të ideve të mëdha për globin e të mirave të barabarta, për strehën e gjithsekujt në paqe me mirëqenien, për lirinë e secilit në kufijtë e tij, pa cenuar asgjë që do ta shtynte tundimi i lig.

Deri te liria, Jakup Krasniqi i dha asaj përkushtimin, angazhimin, veprimin, rininë e burgosur e të syrgjynosur. Moshën e mesme ia dha përgatitjes dhe bërjes së luftës çlirimtare. Në dyert e moshës së tretë hyri me duart plot punë në bërjen e shtetit, i cili një ditë do të bëhej i zoti ta merrte vendimin e madh, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë tonë.

Rrugën e prerë në limitet e moshës biologjike edhe mund t’ia bëjë fatin e tij të fundmë.

Burgosja është materia që ai e njeh mirë. Familja, po ashtu, e njeh mungesën e tij.

Atë që nuk duhej ta harronim ishte dhe është se Jakup Krasniqi është i burgosur i fatit tonë kolektiv, të cilit po mundohen t’ia presin për masë shtati “lirinë e tredhur” po ato duar që bënë Shën Stefanin, Kongresin e Berlinit e Paqen e Versajës.

Cili nga ne nuk u ndje i fyer kur këtë Lavdi e sollën si një leckë të mbetur nga një kusuritje që gjeopolitika e skutave të errëta evropiane aspiron me Serbinë? Cili nga ne nuk u ndje i pafuqishëm dhe cili nga ne nuk do të donte ta merrte në dorë fatin e vendit atë ditë të shëmtuar e të bënte diçka, sado të vogël, në shtetin e pavullnetshëm.

Është e tepërt tashmë të themi ku ishte shteti atë ditë. E dimë, shteti është marrë peng nga pushteti (pushtetarë e koketues opozitarë me ta). Ai është shtyrë në skutat e errëta, ku mund të vidhet e të zhvatet, brekëhequr para të huajve.

Nëse e vërteta për shtetin e gjunjëzuar na flet kaq hapur, gjë që nuk duhej të kishte ndodhur me ne, me popullin qëndrestar, atëherë, para se të pyetemi me shumë PSE: çfarë ndodhi me Lëvizjen, me ish-të burgosurit, me idealistët, duhet të pyetemi: çfarë po ndodh me Lirinë?

Pse heshti Kosova?

Jakup Krasniqi vjen me një histori të gjatë angazhimi për çlirimin e vendit dhe bërjen e shtetit. Ai e gjeti rrugën e lirisë dhe mesin e shokëve kur gjeti edhe veten angazhuese për liri. Këta shokë të hershëm, pse heshtën?! Ai u bashkua në flakën e madhe të lirisë. Pse heshti ish-lufta? Ai e përshkoi gjithë rrugëtimin e bërjes së shtetit. Pse mungoi shteti?

Edhe shumë PSE do të sorollaten kot në kokat tona, derisa të mos e kuptojmë se koha do politikë për masën e vet, do institucione për masën e sovranitetit dhe do liri të patredhur.

Këto beteja shpatash mbi kokat tona (thënie e Mehmet Hajrizit) po hapin horizonte reflektimi për rrugën e vjetër në këto kohë pa identitet.

Çdo revolucion ka heronjtë e vet, por jo çdo kohë di t’ua ruajë dinjitetin.

Kontrolloni gjithashtu

Ragip Gjoshi: Paradoksi nëpër terrin e drejtësisë KUR ÇLIRIMTARËT MBETEN NË QELI, NDËRSA NDËRGJEGJJA E SHTETIT MBETET NË HESHTJE

“Padrejtësia kudo që ndodh, përbën kërcënim për drejtësinë kudo në botë.”— Martin Luther King I. …