Ahmet Shala: VIZITA E BACËS JAKUP FAMILJES SË TIJ – TREGUES I KARAKTERIT TË GJYKATËS SPECIALE

Filozofia, karakteri dhe qasja institucionale e Dhomave të Specializuara të Kosovës u shpërfaqën qartë edhe gjatë vizitës së fundit të Bacës Jakup (Jakup Krasniqit) te familja e tij.
Javën e kaluar (18-21 Nëntor, 2026) atij iu lejua një vizitë e shkurtër, për “arsye humanitare,” siq e cilësuan ato, për të takuar bashkëshorten e tij, Sevdijen, për shkak të gjendjes së saj të rënduar shëndetësore. Mirëpo, mënyra se si u realizua kjo vizitë vë në pikëpyetje pikërisht dimensionin humanitar të saj.
Karakteri i kësaj gjykate u vu në provë që në minutat e para të mbërritjes së Bacës Jakup në shtëpinë e tij. Pas gjashtë vjetësh privimi nga liria dhe largësie nga familja, sipas pamjeve dhe raportimeve të mediave, atij nuk iu lejua as ta përqafonte vëllanë e tij, Dautin, 87-vjeçar, i cili, i mbështetur në shkopin e pleqërisë, e priste me mall të papërshkrueshëm pranë hyrjes së shtëpisë së tij. Kamerat e gazetarëve që prisnin me shumë kërshëri ato momente, fiksuan lotët, dridhjen e buzëve dhe trishtimin në fytyrën e Bacës Daut, që, ndonëse e kishte vëllanë vetëm pak hapa larg, nuk u lejua t’i afrohej për t’i dhënë një përqafim, mbase të fundit në jetën e tyre.
I dëshpëruar e rënduar në zemër e shpirt ai, me shkopin e pleqërisë në dorë, sillej si I pakrye herë në një anë të rrugës e herë në anën tjetër, e herë hypte në balkonin e shtëpisë së tij, aty përballë të Bacës Jakup, me shpresën që të paktën të kishte një shkëmbin shiqimesh me të vëllain, aq të vuajtur, mungesën e të cilit ai e kishte përjetuar edhe për 11 vite tjera nga burgjet e Jugosllavisë dhe tanimë edhe qe 6 vite nga keto “të Kosovës”.
Sigurisht që dëshrimi dhe dhimbja e Bacës Daut kësaj radhe ishin shumëfish më të thella, jo vetëm për shkak të pleqërisë së të dyve, por më shumë sepse kësaj radhe ky persekutim vinte nga një “gjykatë e Kosovës” e cila përmes tytave të armëve nuk e lejuan atë as edhe të shkëmbenin ndonjë fjalë, bile nga distanca, me të vllain, për të cilin aq shumë e kishte marrë malli. Në ndërkohë që, Bacit Jakup nuk iu mundësua as ta kalonte natën pranë bashkëshortes së sëmurë, fëmijëve, nipërve dhe mbesave të tij.
Ngushëllimi i vetëm i Bacës Daut, mbase, I mbeti që nga ballkoni I shtëpisë së tij, I cili shikonte në oborrin e Bacës Jakup, arriti që përmes një shikimi nga distanca dhe një grushti të ngritur lartë, arriti t’i përcillte të vëllait mesazhin me një zë të fort e shpresëdhënës: “Qëndro i fortë, vëlla!”, duke u shkri më pastaj në lot e ngashërim pa zë, siq burrat shqiptar tradicionalisht kanë arritur t’I frenojnë emocionet, për të ruajtuaj dinijtetin e tyre burrëror. https://www.instagram.com/reel/Df7DOvwyfw1/
Në këtë rat, përtej dimensionit emocional të kësaj skene vërtetë trishtuese dhe të pakuptimtë, shtrohen disa pyetje me karakter juridik e moral:
Çfarë rreziku për drejtësinë përbënte përqafimi i dy vëllezërve?
Cilin interes juridik mbronte mohimi i këtij gjesti elementar njerëzor?
A ishte ky kufizim i domosdoshëm dhe proporcional me rrezikun që pretendohej të parandalohej?
Dhe cilado të jet përgjigjia në keto katër pyetje, për një shtet, institucion e shoqrëri vlerash e normash njerëzore, sidomos të atyre Europiane, që ata dhe ne me aq shumë pompozitet I reklamojme dhe admirojme, një trajtim i tillë është moralisht I turpshëm, i papranueshëm dhe kërkon shpjegim publik nga kjo gjykatë. Autoriteti juridik ka të drejtë për t’ia kufizuar lirinë dikujt, por ai autoritet I dhënë e I besuar nga vetë institucioni themelues dhe udhëheqës I të cilit ishte edhe vet Baca Jakup, në vetvete, nuk përbën autorizim për t’ia cenuar dinjitetin askujt. Përkundrazi, mënyra se si një institucion e trajton njeriun mbi të cilin ushtron pushtet dëshmon pikërisht karakterin, kulturën juridike dhe integritetin moral të atij institucioni, dhe mbase edhe të vet shoqërisë që ai përfaqëson.
Përtej kësaj, sjellja e kësaj gjykate, për fat të keq, nuk më befason më. Ajo që më shqetëson shumë më tepër është HESHTJA JONË. Para së gjithash, më shqetëson mungesa e një reagimi të denjë nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës; nga partitë politike, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe jo vetëm të saj, elita intelektuale universitare, profesorët, studentët dhe organizatat e shoqërisë civile.
Në fakt kishte ca reagiume spontane, por shumë të “vokta”, siq thotë populli ynë Kryesisht deklarata patriotike e shpërthime emocionale të çastit, por jo të materializuara në qëndrime të argumentuara, kërkesa konkrete dhe veprime serioze të koordinuara institucionale, në përputhje me përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve, shtetit dhe parimeve universale të të drejtave të njeriut.
Shpesh krijoj përshtypjen e besa nganjëherë edhe bindjen se ne si institucione e shoqëri kemi rënë në kurthin paradoksal: për shumë gjëra, procese e veprime po përpiqemi të dukemi e bëhemi “edhe më katolik se Papa.” E kam fjalën se respektimi i pavarësisë së gjyqësorit nuk nënkupton heqjen dorë nga e drejta për të kërkuar llogaridhënie për mënyrën se si ushtrohet autoriteti gjyqësor. Në ndërkohë që pavarësia institucionale dhe përgjegjësia publike nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën; ato janë elemente plotësuese të një rendi demokratik.
Dhe tani shtroj pyetje: si është e mundur që në shoqërinë tonë, jo rrallë, mobilizimi qytetar dhe institucional për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, psh shpezëve, edhe pse edhe ajo është një kauzë që meriton mbështetje, të jetë më i fuqishëm sesa reagimi për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor të njërit prej çlirimtarëve dhe themeluesve të shtetit tonë?
Ky disproporcion I pakuptimt në ndjeshmërinë dhe reagimin tonë shoqëror, kjo apati njerëzore, politike dhe institucionale, vërtetë më shqetëson thellë në zemër e mendje; më frikëson deri në dridhje shpirtërore. Jo vetëm për shkak të dhembshurisë që ndiej për Bacën Jakup, një patrioti e njeriu fisnik, por, edhe më shumë, për shkak të asaj që kjo indiferencë pa dyshim dëshmon për gjendjen morale, shpirtërore dhe intelektuale të popullit tim në këto momente historike. Lutem dhe shpresoj që kjo gjendje të mos jet e përhershme!
Më shqetëson paaftësia jonë kolektive për të përcaktuar, artikuluar dhe mbrojtur, në mënyrë efektive, të mençur e koordinuar, kufijtë e pacenueshëm të dinjitetit njerëzor dhe institucional. Aq më tepër kur bëhet fjalë për njerëzit, falë sakrificës së të cilëve ne sot gëzojmë lirinë, shtetin dhe të gjitha mundësitë që burojnë prej tyre.
Në këtë kontekst, një popull nuk e dëshmon pjekurinë e tij politike vetëm me aftësinë për ta fituar lirinë, por edhe me mënyrën se si e administron dhe e mbron atë, si e ruan kujtesën e vet historike dhe si i trajton njerëzit që kontribuuan në kurorzimin e saj.
Liria e trashëguar, pothuaj si cdo gjë tjetër, kur shkëputet nga vetëdija për çmimin me të cilin është fituar ajo, rrezikon të perceptohet si një gjendje e mirëqenë dhe jo si dic e fituar me gjak dhe një përgjegjësi e vazhdueshme historike. Prandaj, harresa historike nuk është thjesht humbje e kujtesës. Ajo është dobësim i aftësisë së një shoqërie për të kuptuar të tashmen, për të nxjerrë mësime nga e kaluara dhe për të mbrojtur të ardhmen e saj.
Kam frikë se, me këtë mentalitet dhe me këtë shkallë indiference ndaj historisë sonë dhe sakrificave të brezave që na sollën deri këtu, ne rrezikojmë të rikrijojmë pikërisht ato dobësi kolektive që, në periudha të ndryshme të historisë, në mënyrë ciklike, na kanë kushtuar aq shtrenjtë. Historia nuk përsëritet domosdoshmërisht në të njëjtat forma, por rrethanat që prodhojnë tragjeditë e saj mund të përsëriten kur një popull humbet kujtesën, ndjeshmërinë dhe aftësinë për të vepruar në mbrojtje të dinjitetit të vet.
Uroj me gjithë shpirt të jem gabim në këtë vlerësim!
Dhe, për të mos lënë vend për ndonjë keqkuptim, as unë dhe besoj askush nga shoqëria jonë nuk po kërkon privilegje, imunitet apo ndërhyrje në drejtësi. Por kërkesa është shumë e qartë, legjitime dhe shumë transparente: respektimin e të drejtave elementare njerëzore, proporcionalitet në ushtrimin e autoritetit dhe transparencë e llogaridhënie.
Mbrojtja e dinjitetit njerëzor nuk është çështje partiake, as detyrim që buron vetëm nga mirënjohja ndaj çlirimtarëve. Është përgjegjësi institucionale, qytetare, intelektuale dhe morale e çdo shoqërie që pretendon të jetë demokratike dhe e civilizuar.
Prandaj, dua t’i drejtohem klasës politike të Kosovës dhe asaj mbarëkombëtare, komunitetit akademik e studentor, shoqërisë civile, qytetarëve tanë dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë, pavarësisht përkatësisë apo prejardhjes së tyre, me një rikujtesë:
Historia nuk do ta gjykojë vetëm mënyrën se si kjo gjykatë i trajtoi çlirimtarët e Kosovës. Ajo do të gjykojë edhe mënyrën se si ne, si shtet, si institucione, si popull dhe, mbi të gjitha, si njerëz, reaguam ndaj trajtimit të tyre.
Heshtja përballë padrejtësisë nuk është neutralitet. Është heqje dorë nga përgjegjësia dhe detyrimi yne moral e njerëzor.
Në këtë kontekst, heshtja merr një kuptim tjetër. Nëse në periudha të caktuara të historisë sonë ajo ishte një mënyrë mbijetese, sot, në rrethanat e lirisë dhe të shtetësisë, heshtja përballë padrejtësisë mund të jetë shprehje e mungesës së përgjegjësisë individuale dhe kolektive.
Për brezin tim, që përjetoi mohimin e lirisë, luftën dhe ndërtimin e shtetit, ruajtja dhe përcjellja e së vërtetës historike nuk është thjesht një detyrim ndaj së kaluarës. Ajo, mbi të gjitha, është përgjegjësi ndaj brezave që do të trashëgojnë atë që ne kemi arritur, por edhe për pasojat e asaj që kemi lënë pa bërë gjerësa frymonim.
Nuk pretendoj se këndvështrimi im përbën të vërtetën e vetme. Por besoj se kam përgjegjësinë morale të dëshmoj për atë që kam përjetuar, të shpreh bindjet e mia dhe të mos hesht përballë asaj që e konsideroj padrejtësi.
Në fund të fundit, vlera e një shoqërie nuk matet vetëm me arritjet e saj historike, por edhe me aftësinë për t’u përballur me të vërtetën, për të korrigjuar padrejtësitë dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, me aq sa ka forcë qytetari si individ dhe shoqëria si një kolektiv I organizuar, pavarësisht rrethanave politike që rrethojnë atë.
Siguria e së ardhmes sonë nuk buron vetëm nga ekzistenca e shtetit, por nga cilësia e institucioneve që ndërtojmë, nga ndërgjegjja qytetare që kultivojmë dhe nga aftësia për t’i shndërruar interesat tona të përbashkëta në veprime të përbashkëta.
Prandaj, shqetësimi dhe ftesa ime për mobilizim nuk buron thjesht nga padrejtësia e së tashmes, por nga përgjegjësia që kemi ndaj së ardhmes. Na duhet një angazhim i mençur, i bashkërenduar dhe i qëndrueshëm, përtej ndarjeve politike, interesave personale dhe protagonizmit individual, duke përdorur potencialin tonë institucional, intelektual, diplomatik e qytetar.
Sepse brezat që vijnë kanë të drejtë të trashëgojnë jo vetëm një Kosovë të lirë dhe të pavarur, por edhe një shtet të respektuar, të aftë për të mbrojtur qytetarët e vet dhe për të përcaktuar me dinjitet të ardhmen e tij. Ky është, në bindjen time, kuptimi më i thellë i përgjegjësisë sonë historike: të mos ua lëmë brezave të ardhshëm si barrë atë që ne sot kemi mundësinë dhe detyrimin ta zgjidhim.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

Albert Z. ZHOLI: Heronjtë e popullit, shembull heroizmi dhe atdhetarie në një shoqëri që po i harron

Heronjtë e popullit janë ndër figurat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Ata përfaqësojnë …