Një zjarr i shpërthyer në orët e hershme të mëngjesit në autotransformatorin AT2 (400/220 kV), në nënstacionin Kosova B, ka ngritur shqetësime për sigurinë dhe gjendjen e infrastrukturës kritike energjetike të vendit.
KOSTT-i ka njoftuar për incidentin dhe aktivizimin e shërbimeve emergjente, ndërsa ekipet teknike kanë dalë në terren për të vlerësuar dëmet dhe rrethanat e shpërthimit të zjarrit.
Megjithatë, njoftimi i operatorit mbetet i mangët në informacione thelbësore. Nuk bëhet e ditur se çfarë e shkaktoi zjarrin, sa janë dëmet materiale, nëse autotransformatori është jashtë funksionit dhe cilat masa janë ndërmarrë për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla.
Fakti që furnizimi me energji elektrike nuk është ndërprerë nuk e zbeh seriozitetin e incidentit. Autotransformatorët janë pjesë jetike e sistemit të transmetimit të energjisë, ndërsa çdo avari në këtë infrastrukturë kërkon transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Në vend të një njoftimi që kufizohet në konstatimin se furnizimi vazhdon normalisht dhe në falënderimin e ekipeve emergjente, KOSTT-i duhet t’i informojë qytetarët për shkaqet e incidentit, pasojat teknike dhe masat konkrete që do të ndërmerren.
Siguria energjetike nuk matet vetëm me faktin nëse dritat janë ndezur, por edhe me gjendjen, mirëmbajtjen dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës nga e cila varet furnizimi i vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
