Delegacioni shtetëror nga Egjipti, udhëhequr nga Muhamed El Arabi, deputet i Parlamentit dhe ish-ministër i jashtëm i këtij shteti, në përmbyllje të vizitës së tij në Kosovë, është pritur sot nga Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga Elmi Reçica, kryetar. Gjatë këtij takimi, i cili u zhvillua në një frymë shumë miqësore, bashkëbiseduesit vunë në dukje raportet tradicionalisht të mira ndërmjet të dyja vendeve dhe u shprehën të përkushtuar për avancimin e mëtejmë të tyre edhe në të ardhmen. Anëtarët e Komisionit kërkuan që Egjipti të ngrejë zërin në favor të shtetit të Kosovës në të gjitha forumet ndërkombëtare ku ai merr pjesë, me theks të veçantë në Ligën Arabe.
