leoni

Mr. Kadri Rexha: Pikëtakime letrare

Doli në dritë libri më i ri i Kadri Rexhës, “Pikëtakime letrare” një përmbledhje studimesh e recensionesh të shkruara e të botuara kohë pas kohe, qysh prej vitit 1977 e deri në ditët tona.

Pikëtakimet e mr. Kadri Rexhës në letërsinë shqipe janë të hershme dhe ato datojnë qysh në vitet ‘70, kur kritiku i ardhshëm i letërsisë, shkrimtari e veprimtari, ndodhej  në rrugë jo vetëm të krijimit të identitetit krijues, duke gjurmuar shtigje drejt lirisë së shprehjes, por edhe në rrugë drejt përparimit dhe emancipimit të çështjes kombëtare shqiptare. Kadri Rexha, në pikëtakimet e tij letrare ka sjellë një qasje të re në kritikën tonë, duke anashkaluar  gati në tërësi metodën e kritikës përshkruese, tradicionale, ai me kohë ka  krijuar një konceptim të ri të vlerësimit të veprës letrare, por pa sharruar në futurizëm dhe neo modernizëm të thatë dhe abstrakt, ku kanë sharruar jo pak kritikë të letrave shqipe, sidomos në kohët e fundit.

Duke shpjeguar qasjen origjinale për krijimtarinë dhe përgjithësisht për vrojtimet e tij letrare, autori i librit, shkruan: “Mbase larg realitetit dhe teorive shkencore, nisur nga botëkuptimi dhe formim im, letërsinë e shikoj si veprimtari, si mision, si thirrje të brendshme individuale, si urdhër kohe, si mjet në shërbim të njerëzores, lirisë, kombit, progresit…” Në këtë përkufizim, studiuesi i zellshëm dhe kritiku i mirëfilltë i letërsisë, Kadri Rexha ka pasqyruar më së miri kredon e tij krijuese, qasjen origjinale ndaj letërsisë dhe artit në përgjithësi, duke mos u ndalur vetëm në këtë segment të krijimtarisë, por duke çarë për para rrugën drejt formave të tjera të shprehjes artistike.

Libri me studime, qasje, kritika dhe analiza letrare,  titulluar “Pikëtakime letrare”, që sapo doli në dritë, është një përmbledhje e shkrimeve dhe studimeve të kohë pas kobshme të autorit,  të botuara në gazetat dhe portalet në gjuhën shqipe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Iliridë dhe në shtypin e mërgatës.

Këtë vepër autori e ka segmentuar në disa këndvështrime sipas përmbajtjes së shkrimeve që ka prezantuar në librin e tij më të ri. Duke filluar nga: mbresat, rrëfimet, vështrimet, përjetësimet, çastet e amshimit, përurimet e duke përfunduar në përkujtime, kritiku i letërsisë, Kadri Rexha ka sintetizuar një përvojë të gjatë krijuese, vlerësuese e vrojtuese, për letërsinë shqipe në përgjithësi, edhe pse ajo deri vonë është përcjellë me fatin e keq të ngufatjes, ndarjes,  izolimit dhe zhvillimit jo harmonik, në kushte dhe rrethana të njohura, nëpër të cilat  ka kaluar edhe arti e kultura shqiptare në trojet e robëruara të Atdheut.

I vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për rolin që ka luajtur dhe luan libri, studimi, analiza, vështrimi, si pikëtakime apo vrojtime,  që kanë për qëllim krijimin e shtigjeve për një krijimtari sa më realiste dhe artistikisht më të arrirë, Kadri Rexha në recensionet e tij ka aplikuar qasjen afirmative, pozitiviste, e cila ka shërbyer dhe i shërben lexuesit si mesazh, si mjet në shërbim të edukimit të brezave, si veprimtari jo vetëm korrektuese e kritike, me qëllim diskreditimi apo megalomanie, por më radhë të parë si kritikë e shëndoshë, mbështetëse e shpeshherë edhe inkurajuese.

Kritikat letrare të autorit datojnë qysh herët, qysh në vitet ’70, të shekullit të kaluar. Asokohe profesori i letërsisë nuk kënaqej vetëm me shpjegimin dhe interpretimin e lëndës së letërsisë sipas teorive të aplikueshme dhe tradicionaliste, por rrugëtonte drejt interpretimit më të lirë, më frymëmarrës dhe më të kuptueshëm, sidomos për lexuesin, por edhe për studiuesin e letërsisë. Në përpjekje për  të vlerësuar më ndryshe librin, duke qenë edhe në kontakt me metodat e njohura të kritikës letrare, Kadri Rexha ka krijuar një stil sintetik të vrojtimit letrar, andaj analizat e tij letrare janë origjinale si për nga qasja ashtu edhe rendimenti që sjellë në vlerësimin realist të veprave të ndryshme.

Autori ka marrë në shqyrtim dhe ka analizuar segmente të caktuara të letërsisë shqipe qysh nga Letërsia e Vjetër, duke filluar nga Lekë Matrënga, Frank Bardhi, Pjetër Bogdani, pastaj ka trajtuar tema nga periudha e Rilindjes kombëtare, me analiza e vlerësime për  Jeronim De Radën, Gavril  Darën, Sami Frashrin, Mihal Gramenon, Luigj Gurakuqin, Shtjefën Gjeçovin, Hilë Mosin,   më vonë Dhimitër Shuteriqin, për të kaluar te krijimtaria e Adem Demaçit, Jusuf Gërvallës, Teki Dervishit, Kadrush Rodogoshit, Agim Spahiut, Bedri Islamit e të tjerëve.

Një vend me rëndësi në studimet dhe analizat e Kadri Rexhës, të prezantuar në librin: “Pikëtakime letrare” zë  edhe folkloristika shqiptare, e kundruar sidomos nga refleksionet dhe porositë që ajo ka transmetuar nga brezi në brez. Autori, kësaj letërsie  iu ka qasur në sinkroninë dhe diakroninë e saj të zhvillimit, për faktin se letërsia gojore e transmetuar nëpër shekuj, ka ruajtur kujtesën e të parëve, me vlerat e veta të përgjithshme, edukative, njohëse, transmetuese dhe si e tillë, sado e ngrënë nga goja e pamëshirshme e kohës,  ajo  ka arritur deri në ditët tona.  Janë të një cilësie të jashtëzakonshme dhe të përcjella me një ndjenje të thellë  përkushtimi, sidomos analizat e mirëfillta dhe sintetizuese për disa nga këngët historike dhe këngët e trimërisë, të cilat i ka kënduar rapsodi i mirënjohur,  Dervish Shaqa, për jetën dhe veprën e të cilit, Kadri Rexha ka botuar edhe një monografi të shkëlqyer.

Përmbledhje me studime, analiza e vlerësime, “Pikëtakime letrare” e Kadri Rexhës është një kontribut  i çmuar për studimin dhe njohjen e lexuesit me tema të caktuara të letërsisë shqipe dhe me kritikën letrare.

Libri ka 300 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola”, në Prishtinë.

Ahmet Qeriqi

  1. 11. 2013

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …